Borrell: Ardhmëria juaj në BE mbështetet në këtë bazë

  • A.P /
  • 17 March 2023 - 18:39
Borrell: Ardhmëria juaj në BE mbështetet në këtë bazë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, mbajtën një konferencë të përbashkët në të cilën mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell tha se mbajtja e mbledhjes në Shkup, e jo në Bruksel, bëhet për të vlerësuar progresin e Maqedonisë së Veriut.

“Mbajtja e mbledhjes këtu sot, vërtet tregon se BE po ju afrohet dhe gjithashtu tregon se Ballkani Perëndimor janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet kyç për BE-në dhe një pjesë e rëndësishme e dimensionit tonë gjeopolitik”, tha Borrell.

Ai u shpreh se me miratimin e kornizës negociuese në korrik të vitit të kaluar, dera për anëtarësim të plotë është hapur, duke shtuar se sot kishin rastin të shohin çfarë ka arritur Maqedonia e Veriut në aspekt të plotësimit të kritereve ekonomike dhe politike.

Borrell theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE, pasi sipas tij, “vetëm të bashkuar do të mund t’u përballemi me sfidat e mjedisit të vështirë gjeopolitik”.

Ai bëri thirrje për krijimin e kushteve për miratimin e amendamenteve kushtetuese që burojnë nga korniza negociuese, ku parashihet edhe inkuadrimi i bullgarëve në Kushtetutë si pakicë kombëtare.

“Ky vit është një vit kyç. Marrëveshja e korrikut është marrëveshja më e mirë që ju mund të fitoni dhe nuk është reale të besoni se kjo mund të rihapet për negociata të reja. Ardhmëria juaj në BE mbështetet në këtë bazë. Tani është koha që partitë politike të zbatojnë përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë seriozisht për të vazhduar në këtë rrugë”, tha Borrell.


(Kosova Sot Online)