Chollet jep detaje për bisedën me Kurtin dhe Vuçiqin

  • A.P /
  • 17 March 2023 - 22:43
Chollet jep detaje për bisedën me Kurtin dhe Vuçiqin

Me dy protagonistët, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka bërë të ditur se ka zhvilluar biseda telefonike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Chollet ka bërë të ditur se me Kurtin ka diskutuar lidhur bisedimet e ditës së nesërme rreth bisedimeve mbi normalizimin e raporteve me Serbië përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Diskutova me kryeministrin Albin Kurti rreth bisedimeve të nesërme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Implementimi do të mundësojë përfitime domethënëse për të dyja shtetet dhe do të tregojë përkushtim për një të ardhme paqësore për rajonin”, ka shkruar Chollet.

Bisedën me Vuçiqin, Chollet e ka quajtur të “mrekullueshme”.

“U pajtuam për rëndësinë e përkushtimit konstruktiv  mbi propozimin e konsoliduar të BE-së më 18 mars. Rikonfirmova mbështetjen e SHBA-së rreth dialogut të BE-së dhe përfitimet që do të vijnë nga normalizimi i marrëdhënieve për Serbinë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka njoftuar Chollet.

Në rundin e ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, sipas Brukselit, Kurti dhe Vuçiq do të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, që do të jetë nikoqir i takimit të Ohrit, deklaroi më 17 mars, se pala evropiane ka pranuar komentet e Kosovës dhe Serbisë, dhe liderëve të dy shteteve do t’u prezantohet një plan “i konsoliduar” i zbatimit të propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e plotë të raporteve.

“Ne do të flasim nesër [18 mars] dhe do të bëjmë një version të konsoliduar të aneksit, bazuar në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha Borrell.

Rundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i mbajtur në Bruksel më 27 shkurt 2023.

Në Ohër, palët fillimisht do të takohen veç e veç me zyrtarët evropianë dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët. Në takime, në cilësinë e vëzhguesit, do të marrë pjesë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke – që Kosova kërkon të jetë në qendër të një marrëveshjeje përfundimtare –diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. 

(Kosova Sot Online)