Halimi: Vetëvendosje kontaminoi diskursin publik

  • A.P /
  • 19 March 2023 - 14:41
Halimi:  Vetëvendosje kontaminoi diskursin publik

“Kosova pas ditës së djeshme ka hyrë në një stad të ri të konceptimit të politikës”, vlerëson zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas saj, me marrëveshjen e arritur të shtunën mes Kosovës dhe Serbisë, është shënuar “fundi i një historie populliste”.

“Dita e djeshme duhet të bëjë kthesë në vlerësimin e qytetarëve se çfarë përfundimisht kërkojnë nga një parti politike e çfarë është rëndësishme për jetën e tyre!”, shkroi Halimi në një postim në Facebook.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje, e cila “për vite prodhoi kauza artificiale e realitete paralele, kontaminoi diskursin publik duke polarizuar shoqërinë e ndjellë gjuhë të urrejtje”.

“18 marsi shpërfaqi një të vërtetë absolute – shfrytëzimin e fatkeqësisë së qytetarëve, vetëm për hir të pushtetit, madje duke braktisë edhe vet identitetin”, shkroi Halimi.

“Prandaj, makineria propagandistike e demagogjike për të krijuar një gjendje tjetër sot, të prodhuar nga zyrat e Vetëvendosjes duhet të marrë fund”, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)