Për personin që dyshohet se dogji shtëpinë e gazetarit nga Kosova 30 ditë paraburgim

  • A.P /
  • 20 March 2023 - 19:21
Për personin që dyshohet se dogji shtëpinë e gazetarit nga Kosova 30 ditë paraburgim

Pasi dyshohet se ka kanosur dhe i ka djegur shtëpinë redaktorit të RTK-së, Alban Selimi, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin A.L, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjykata ka bërë të ditur me anë të një komunikate se vendimi është marrë pas kërkesës së prokurorit. I dyshuari është i njohur edhe për disa vepra tjera penale.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurit A.L e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse i pandehurit A.L  gjendet në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes së tij dhe mund  të pengon sigurimin e prezencës së tij në procedurën penale” – thuhet në komunikatë.

“Gjykata ka vlerësuar se duke pasur parasysh karakteristikat e tij personale, pasi që i pandehuri A.L është recidivist i gjykuar dhe i dënuar me aktgjykime të plotëfuqishme për vepra të ndryshme penale, ekziston rreziku se i pandehuri po të gjendet në liri, do të përsëris veprat penale apo do të kryej veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej” – thuhet në njoftimin për media të Gjykatës.


Lajmin për djegien e shtëpisë e kishte bërë të ditur vetë Selimi para disa ditëve me anë të një statusi në Facebook. Policia kishte arrestuar të dyshuarin vetëm pak kohë më pas.

(Kosova Sot Online)