Ja kush kërkon që të kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës në Kosovë
Pasi vendosi ZRRE në vendimin e fundit për rritjen e çmimit të faturave për energji elektrike prej 15%, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive ka kërkuar që në mënyrë të organizuar të kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Realisht, rritja e çmimit për faturat e energjisë elektrike nuk mbetet një rast i izoluar por, pashmangshëm përcillet me rritje të çmimeve të artikujve të tjerë, kryesisht artikujve elementarë dhe të domosdoshëm për ekonomitë familjare që, edhe ashtu janë të cenueshme dhe me vështirësi po i përballojnë edhe çmimet aktuale. Në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës, në mënyrë shumë bujare vazhdon t’ua paguajë rrymën serbëve në Veri të Kosovës duke shpenzuar afërsisht 63 milionë euro në vitin 2022 për këtë akt “bëmirësie“ për qytetarë që janë deklaruar se janë shtetas të një shteti tjetër dhe që pamëshirshëm e shpenzojnë rrymën, jo vetëm për nevoja familjare por edhe për aktivitete kriminale siç janë prodhimi i kriptovalutave dhe kultivimi i lëndëve narkotike që kërkojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike”.
KMLDNJ tha se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka deklaruar se vazhdimi i pagesës së energjisë elektrike për serbët dhe të tjerët në Veri të Kosovës është në kundërshtim me ligjin dhe se cenon parimin kushtetues për barazinë e të gjithë qytetarëve.
“Me një fjalë është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe është veprim diskriminues. KMDLNj –ë, në shumë reagime publike ka kërkuar nga të gjitha qeveritë e Kosovës që të ndërprejnë pagesën e faturave të energjisë elektrike në bazë të parimit etnik, favorizues për serbët dhe përjashtues për shqiptarët dhe të tjerët (pagues të rregulltë të faturave) dhe se faljen e pjesshme apo të krejt borxhit ta bëjnë vetëm sipas parimit ekonomik dhe social, pavarësisht përkatësisë etnike”.
Qytetarët e Kosovës, thotë KMLDNJ, s’duhet të mjaftohen vetëm me një reagim të çastit në KMLDNJ apo te Avokati i Popullit, por duhet të organizohen,
“Në pamundësi të krijojnë kushte për një jetesë të dinjiteshme, institucionet e Kosovës nuk po krijojnë kushte as për mbijetesë andaj edhe po kemi migrim aq të madh të popullatës, të rinjve kryesisht sepse të moshuarit dhe të sëmurët nuk i do askush dhe nuk kanë ku të shkojnë! Qytetarët të cilëve me këto shtrenjtime dhe ngrirje të thellë të të ardhurave të tyre, seriotisht po iu rrezikohet mbijetesa duhet të përdorin të gjitha mjetet e lejuara demokratike për të kundërshtuar shtrenjtimin e çmimeve dhe shërbimeve sikur edhe për të kundërshtuar keqpërdorimin e taksave të tyre me të cilat iu paguhet rryma serbëve dhe të tjerëve në veri të Kosovës, që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Problemet me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, pa fajin e tyre dhe në kërkim të një jete më të mirë dhe më të dinjiteteshme është themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet reagimi qytetar, pa dallim në baza etnike, përkatësisë politike, gjinisë, moshës, besimit apo kultures që i përket”.
KMLDNJ thotë se ky vendim duhet të kundështohet edhe nga deputetët, qoftë në kuadër të komisioneve përkatëse të Kuvendit ashtu edhe në seancat parlamentare, pa bërë dallime partiake dhe pa u përpjekur ta kapitalizojnë këtë kundërshtim politikisht.
“Të drejtat e njeriut nuk nënkuptojnë vetëm mbrojtje nga dhuna fizike, verbale dhe shirtërore por edhe garantimi i kushteve të dinjitetshme për një shkollim cilësor, shërbime shëndetësore profesionale dhe të përballueshme, kushte banimi të përshtatshme por edhe një mundësi për një jetë kualitative përmes sigurimit të një page që siguron këtë jetë sikur edhe sigurimi të një pensioni në përputhje me kontributin e dhënë dhe nevojat shëndetësore dhe të tjera për pensionistët dhe grupet e tjera të cenueshme”.
(Kosova Sot Online)