Thaçi: Rezistenca e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes kundër Zajednicës është thyer

  • A.P /
  • 23 March 2023 - 17:43
Thaçi: Rezistenca e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes kundër Zajednicës është thyer

Ripërcaktimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur zgjidhja e vetme e mundshme  për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë pasi është thyer rezistenca e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes kundër Zajednicës/Asociacionit, ka deklaruar analisti Jusuf Thaçi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, ripërcaktimi i kufijve duhet të bëhet mbi bazën: aq sa merr jep, pa lëvizje të popullsisë dhe me reciprocitet të plotë të pakicave.

Thaci propozon që e gjithë kjo të bëhet duke u udhëhequr nga tri parime, e njëri prej tyre sipas tij duhet të jetë bashkimi kombëtar, pra Kosovë -Shqipëri.

Më poshtë shkrimi i plotë i Thaçit.

Ripërcaktimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë: zgjidhja e vetme e mundshme që ka mbetur për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë

Tashmë që kështjella e fundit që rezistonte kundër Zajednicës/Asociacionit ra (Albin Kurti dhe LVV-ja), në horizont mund të shihet vetëm një zgjidhje e mundshme për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë (meqë Zajednica nuk duhet të lejohet assesi në Kosovë, as e fortë e as e dobët, sepse çfarëdo mekanizmi a ingerence shtesë për komunitetin serb në Kosovë nga ato që aktualisht ata kanë me kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës do të jetë dëmtim shtesë i funksionalitetit të shtetit të Kosovës).

Për gjetjen e kësaj zgjidhjeje (ndoshta) përfundimtare të problemit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqemi nga tri parime të rëndësishme:

1. Të udhëhiqemi nga parimi teleologjik që nënkupton se qëllimi që duam ta arrijmë na dikton rrugën, mënyrën, mjetet e aktivitetet që duhet ndërmarrë deri në realizimin e qëllimit. E qëllimi i shqiptarëve është i qartë (qartësohet më shumë edhe në vijim).

2. Të udhëhiqemi nga shembulli i perëndimit dhe ta krijojmë shtetin-komb (bashkimi i Kosovës me Shqipërinë), sepse tashmë është dëshmuar se shteti-komb është projekti më funksional dhe më i qëndrueshëm në botën moderne. Jo rastësisht Rilindja Evropiane ka kulmuar me shtetet-kombe, të cilat kanë demokraci të avancuara, si dhe zhvillim e mirëqenie për qytetarët e vet.

3. Të udhëhiqemi nga parimi që ne (gjenerata jonë) nuk guxojmë ta trashëgojmë te pasardhësit tanë si të pazgjidhur problemin me Serbinë. Cilatdo qofshin pasojat që duhet të ndodhin për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, ato duhet t’i bartim e t’i vuajmë ne, jo gjeneratat pas nesh.

Në pajtim me tri parimet e sipër-përmendura, zgjidhja e vetme mbetet ripërcaktimi i kufijve mes Kosovës e Serbisë, i cili do të mund të bëhej (dhe do të duhej të bëhej) sipas kushteve dhe hapave në vijim:

1. Ripërcaktimi i kufijve (shkëmbimi i territoreve bazuar në gjendjen ekzistuese) të jetë i balancuar, që nënkupton aq sa jep, aq merr (edhe në sasi edhe në vlerë). Në këtë pikë është e sigurt që Serbia kërkon të marrë shumë më shumë se sa të japë, mirëpo këtë diferencë (apetit) që kërkon Serbia do duhej ta kompenzonte komuniteti ndërkombëtar me mjetet e instrumentet e veta, jo Kosova.

2. Me rastin e ripërcaktimit të kufijve nuk duhet të ketë lëvizje të popullatave e as spastrim etnik të asnjë lloji. Secili qytetar duhet ta ketë mundësinë dhe të drejtën të jetojë i lirë e i qetë aty ku ka lindur dhe ku është autokton.

3. Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen që pas ripërcaktimit të kufijve të ketë reciprocitet të plotë për të drejtat e pakicave (gjithë çfarë ofrohet për serbët në Kosovë duhet të ofrohet edhe për shqiptarët në Serbi dhe anasjelltas).

4. Pas ripërcaktimit të kufijve shfuqizohet Pakoja e Ahtisarit dhe Kosova bëhet republikë e mirfilltë si krejt shtetet demokratike perëndimore që garanton dhe respekton të drejtat e pakicave dhe që nuk ka bllokada të asnjëllojshme nga pakicat (që mund ta diktojnë apo cenojnë funksionalitetin e shtetit).

5. Në pako me ripërcaktimin e kufijve, përmes një marrëveshjeje, adresohen dhe zgjidhen të gjitha problemet tjera mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të mos mbeten probleme të pazgjidhura për të ardhmen.

6. Ripërcaktimi i kufijve (bashkë me marrëveshjen edhe për zgjidhjen e problemeve tjera) pranohet nga të dy palët e përfshira, Kosova dhe Serbia.

7. Ripërcaktimi i kufijve (bashkë me marrëveshjen edhe për zgjidhjen e problemeve tjera) pranohet nga bashkësia ndërkombëtare (posaçërisht nga shtetet perëndimore).

8. Pas ripërcaktimit të kufijve (dhe marrëveshjes edhe për zgjidhjen e problemeve tjera) Kosova dhe Serbia e njohin njëra-tjetrën zyrtarisht si shtete.

9. Pas njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova bëhet anëtare e OKB-së (nëse dëshiron derisa të realizohet hapi pasues).

10. Kosova në koordinim me Shqipërinë organizojnë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në një shtet të vetëm (sipas meje shtet federal). Me këtë arrihet shteti-komb (së paku pjesërisht), i cili është jo vetëm i dëshirueshëm e i nevojshëm, por është më se i domosdoshëm për shqiptarët në rajon, shikuar në të gjitha aspektet: politik, strategjik, sigurisë, ekonomik, arsimor, shkencor, teknologjik, kulturor, sportiv, turizmit, etj., etj..

Jusuf Thaçi

Prishtinë, më

23 mars 2023

P.S:

1. Kam qenë kundër idesë/projektit të ripërcaktimit të kufijve/shkëmbimit të territoreve/ndarjes së Kosovës në kohën e presidentit Thaçi për disa arsye (bazuar në atë që e kemi kuptuar publikisht në atë kohë):

1.1. Atëherë Zajednica ka qenë e vdekur si projekt dhe personalisht kam besuar se me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit dhe LVV-së Zajdenica do të varrosej përfundimisht. Pa Zajdenicë dhe si shtet i konsoliduar, Kosova do të mund të bashkohej me Shqipërinë pa u varur nga të tjerët. Por tani që Zajdenica po ringjallet (nuk ka rëndësi sa e dobët mund të jetë), jam i sigurt që pas disa vitesh Zajdenica do të na sjellë sërish te ripërcaktimi i kufijve (veç atëherë serbët e Kosovës dhe Serbia do të jenë në pozicione më të fuqishme karshi Kosovës, prandaj veç çka do të humbim kohë dhe interesa edhe më shumë), ose edhe më keq, Zajdenica do të na sjellë te ndarja e Kosovës.

1.2. Atëherë nuk është bërë fjalë për ripërcaktim të kufijve e as shkëmbim të territoreve, por për ndarje të Kosovës, me ç’rast Serbia do të merrte shumë nga Kosova, ndërsa Kosova do të mund të merrte diçka të vogël e simbolike nga Serbia, apo asgjë. Ju kujtohen ato deklaratat për “ri-kthimin e dhuratave të Rankoviqit (pjesën veriore të Kosovës)” e të ngjashme.

1.3. Atëherë ideja dhe projekti është provuar të kontrabandohet, përkatësisht të imponohet pa debat, të realizohet pa parime, pa kushte e pa e ditur rezultatin final. Është provuar të injorohet dhe anashkalohet Qeveria dhe Kryeministri i Kosovës, si institucioni/personi më legjitim për ta përfaqësuar shtetin në zhvillime e vendime të tilla. Kjo qasje ka qenë shumë e rrezikshme dhe shumë mirë që është ndaluar.

1.4. Atëherë Presidenti Thaçi, në njërën anë për shkak të korrupsionit të brendshëm e në anën tjetër për shkak të Gjykatës Speciale, ka qenë person i shantazhuar, prandaj një person i shantazhuar nuk mund të jetë negociator as i mirë e as i suksesshëm (sidomos kur negocion diçka për vendin në ndërkohë që e ka edhe hallin e fatit të vet personal që varet pikërisht nga këto negociata). Ky shantazh tashmë është konfirmuar.

2. Përveç zgjidhjes së mësipërme, së paku teorikisht, ekziston edhe një zgjidhje tjetër për problemin mes Kosovës dhe Serbisë/ Nëse vërtet serbët e Kosovës dhe Serbia janë të shqetësuar e të interesuar për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, atëherë Kosova do duhej t’i ofronte komunitetit serb në Kosovë mundësinë që të drejtat e tyre të akomodohen në nene të caktuara të kushtetutës dhe në ligje të veçanta për fusha të caktuara, me kushtin që të gjitha bllokadat që aktualisht i ka komuniteti serb për bllokimin e Kosovës të hiqen, siç janë ato për bllokimin e ndryshimeve kushtetuese, bllokimin e ndryshimit të ligjeve, bllokimin e formimit të qeverisë, etj.. Në këtë mënyrë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të kishin mundësi të bllokonin vetëm ndryshimin e neneve përkatëse të kushtetutës dhe të ligjeve përkatëse, të cilat janë të lidhura me të drejtat e tyre, por nuk do të mund të bllokonin asgjë tjetër që nuk lidhet me të drejtat e tyre (siç aktualisht e kanë mundësinë). Vetëm kështu do të mund të adresoheshin dhe garantoheshin të drejtat e komunitetit serb në Kosovë dhe do të mund të garantohej funksionaliteti i shtetit të Kosovës i pavarur nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës (praktikisht nga Serbia, fatkeqësisht). Nuk besoj që kjo zgjidhje do të pranohej nga serbët e Kosovës dhe nga Serbia, sepse ata nuk janë vërtet të shqetësuar e të interesuar për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, por ata duan të kenë levë kontrolli mbi funksionalitetin e shtetit të Kosovës, të cilën ne nuk duhet t’ua lejojmë assesi. Prandaj, paravarësisht se kjo është zgjidhje e mundshme, vështirë që do ta pranonin serbët e Kosovës dhe Serbia.

3. Përveç këtyre dy zgjidhjeve të përmedura më sipër, të cilat janë më të mundshme bazuar në rrethanat aktuale vendore, rajonale e globale, mendoj që ka edhe zgjidhje të tjera për problemin mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht mes shqiptarëve dhe serbëve, si p.sh. ripërcaktimi i kufijve të krejt Ballkanit, me ç’rast të gjithë shqiptarët kudo që janë në rajon do të bashkoheshin në një shtet të vetëm (por për këtë duhet të presim rrethana të përshtatshme).

4. Në botën time ideale do të dëshiroja të jetoja në një vend, rajon e botë të lirë, demokratike, të zhvilluar e me mirëqenie, ku nuk kanë fare rëndësi identitetet e përkatësitë e njerëzve. Por, fatkeqësisht, bota jonë në përgjithësi, mendësia ballkanike në veçanti e Serbia posaçërisht nuk na lejojnë as të ëndërrojmë e as të punojmë për një botë të tillë ideale.

(Kosova Sot Online)