Petkoviç: Beogradi nuk do ta njohë Kosovën

  • A.P /
  • 23 March 2023 - 18:00
Petkoviç: Beogradi nuk do ta njohë Kosovën

Beogradi nuk do ta njohë Kosovën dhe përderisa të jetë Aleksandër Vuçiç president i Serbisë, Kosova nuk do të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Kur Albin Kurti përpiqet të sfidojë parimin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është e qartë se çfarë e shqetëson atë – fakti që Beogradi nuk do ta njohë Kosovën, ashtu siç nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, përderisa në krye të Serbisë është Aleksandar Vuçiç”, tha Petkoviç, transmeton media serbe Danas.

Tutje, ai pretendoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte mohuar ekzistencën e marrëveshjes së Brukselit dhe tani sipas tij, ai po has në vështirësi t’ia shpjegojë qytetarëve në Kosovë se e ka pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ai pretendoi se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston në Kosovë, tani e ka problem t’i shpjegojë publikut të tij pse pranoi të formohej Asociacioni në Ohër sipas të vetmeve dokumente të vlefshme, Marrëveshjes së parë në Bruksel dhe marrëveshjeve të tjera shoqëruese”, ka thënë Petkoviç në një deklaratë me shkrim.

Ndërkaq, ai shtoi se nuk ekziston “ndonjë makineri e kohës”, që ta ndihmonte Kurtin “të kthehet 10 vite prapa dhe të ndryshojë Marrëveshjen e Brukselit”.

(Kosova Sot Online)