Ku ka mbetur procesi i ndërrimit të targave serbe?

  • A.P /
  • 23 March 2023 - 18:44
Ku ka mbetur procesi i ndërrimit të targave serbe?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar, më 22 mars, se sipas informacioneve të tij nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjithnjë e më shumë qytetarë nga veriu po marrin targa RKS, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10 mijë vetura të regjistruara me targa KM.

Një punonjës i agjencisë së regjistrimit të veturave në sistemin serb, me seli në Mitrovicën e Veriut, i cili dëshiron të mbetet anonim, thotë se më nuk e evidentojnë vazhdimin e regjistrimit për targat KM, edhe pse Qeveria e Serbisë e ka bërë të mundur me rregullore një gjë të tillë, në dhjetorin e vitit të kaluar.

Në bazë të asaj rregulloreje, automjetet me targa KM lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, përkatësisht, për këto automjete, autoriteteve serbe duhet t’u tregohet vetëm polica e sigurimit dhe certifikata e kontrollit teknik.

Në atë rregullore shkruhet se etiketës i “vazhdohet” vlefshmëria deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën për targa.

Por, Kosova nuk e pranon këtë lloj vazhdimi të regjistrimit.

Ata që me këmbëngulje refuzojnë t’i marrin targat RKS, i riregjistrojnë automjetet e tyre në një nga qytetet e Serbisë. Në mesin e tyre është edhe Zorani nga Mitrovica e Veriut, i cili me profesion është shofer taksie. Targat KM i ka ndërruar me NP (Novi Pazar).

Çështja e targave është dashur të zgjidhet me Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes, të vitit 2011. Beogradi zyrtar, me këtë marrëveshje ka pranuar heqjen e targave serbe për qytetet e Kosovës.


(Kosova Sot Online)