Sejdiu: Serbia dëshiron të luaj siç e ka bërë deri tash

  • A.P /
  • 23 March 2023 - 20:51
Sejdiu: Serbia dëshiron të luaj siç e ka bërë deri tash

Marrëveshja e arritur fundjavën e kaluar në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, është pjesë e përpjekjeve për bashkëpunimin e nevojshëm mes dy vendeve, ka deklaruar ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Them se kemi kapërcyer disa faza të ecjes tonë deri tash. Them se tekst më të mire, se tekst më esencial se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, që përfundon procesin e pavarësimit të Kosovës, nuk ka. Gjithë të tjerat janë pjesë e përpjekjeve për të vënë relacionet ndërshtetërore në kuptim të një bashkëpunimi të nevojshëm të të dy vendeve fqinje.”

Ish-presidenti Sejdiu vlerësoi planin franko-gjerman dhe investimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në një kohë kur Rusia përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në rajonin e Ballkanit.

“Dokumenti i panënshkruar është një dokument atipik në kuptimin e një metodologjie të re, sikur e kemi edhe rastin e mahershëm në kohën e marrëveshjes me Presidentin Trump. Uroj për të përfunduar kjo lëvizje apo, ta quajmë lojë, nëse Serbia dëshiron të luaj siç e ka bërë deri tash. Të ketë një kthesë të veçantë pozitive, sepse është në interes edhe për popullin serb që të ndërpresë këtë lojë që e ka gjuhën, e ka stilin dhe metodologjinë e ndjekur nga Millosheviçi.”

Barra e marrëveshjes, tha ish Presidenti Sejdiu, bartet në kapitullin 35 të iniciativës franko-gjermane dhe kushtëzimeve që i jepen Serbisë. Prandaj, është e rëndësishme që të mos pengohet fryma e këtij dokumenti, pavarësisht se ka ndonjë çështje që njerëzit mund të kenë qasje legjitime për t’u shqetësuar. Ish-presidenti Sejdiu vuri theksin në garancitë që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Të shikojmë me kohë se si do të ndodhë. Unë them gjithmonë se, SHBA janë një lloj garantuesi në këtë proces dhe nuk ndalen nga mbajtja e “timonit të përbashkët”, në këtë rast me BE-në, për të lëvizë çështjet si duhet, në kuptimin e hyrjes në një fazë të re të raporteve të mira dhe jo të raporteve që i don Vagneri apo i don garda e Car Llazarit apo patriarkët e dikurshëm”.

I pyetur në lidhje me qëndrimet e ndryshme të forcave politike në Kosovë mbi marrëveshjen e Ohrit, ish-presidenti Sejdiu tha se kjo është çështje demokracie dhe shtoi se është thelbësore të ecet me kujdes në zbatimin e kësaj marrëveshje, me qëllim që secili, në shtëpinë e vet, të marrë atë që i takon.

Marrëveshja e Ohrit pasoi përpjekjet e diplomacisë perëndimore për t’i hapur rrugë normalizimit të marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por ajo ka nxitur dyshime dhe shqetësime si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Marrëveshja nuk kërkon njohjen e ndërsjelltë ndërmjet të dyja vendeve, por që palët të respektojnë sovranitetin dhë tërësinë tokësore të njëra- tjetrës.


(Kosova Sot Online)