Haradinaj për masakrën e Izbicës: Rruga jonë drejt lirisë ishte plot vuajtje e sakrifica

  • S.A /
  • 28 March 2023 - 10:38
Haradinaj për  masakrën e Izbicës: Rruga jonë drejt lirisë ishte plot vuajtje e sakrifica

Në 24 vjetorin e Masakrës së Izbicës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar këtë masakër, duke thënë se atë ditë regjimi serb s’kurseu  as gratë, fëmijët e pleqtë, transmeton "Kosova Sot Online ".

“24 vjet më parë, ngjau një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë forcat ushtarake e policore të Serbisë, vranë mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë – as Dafinën 6 muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi”.

Haradinaj tha se Masakra e Izbicës e shumë të tjera “që fatkeqësisht kanë ndodhur në tokën tonë”, janë një dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë, një rrugë plot vuajtje e sakrifica.

“Sot, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër, duke nderuar sakrificën e tyre, e cila u bë themel i lirisë sonë. Lavdi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

(Kosova Sot Online )