A do të shtrenjtohet rryma për 15 përqind në Kosovë?

  • A.P /
  • 28 March 2023 - 17:44
A do të shtrenjtohet rryma për 15 përqind në Kosovë?

Për të vendosur lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do të mblidhet të enjten, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas të gjitha gjasave, ato do të jenë më të shtrenjta për 15 përqind. Këto tarifa do të jenë në fuqi deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm.

Nga 1 prilli, kosovarët do të duhet të paguajnë më shtrenjtë për energjinë elektrike. Me këtë date hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë, të cilat do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Vendimi përfundimtar do të merret të enjten. Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji e ka konfirmuar  se Bordi do të mblidhet më 30 mars.

Sipas Pepajt, tarifat pritet të shtrenjtohen për rreth 15 përqind.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, ne përputhje me te Hyrat e Lejuara Maksimale për të Licencuarit, ka pranuar aplikimet e të Licencuarve ne lidhje me tarifat  për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit, Operimin e Sistemit dhe Operimin e Tregut (OST/OT), tarifave për Shfrytëzimin e Rrjetit të Shpërndarjes (OSSh)  dhe  tarifat  me pakicë për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU) për vitin relevant tarifor 2023. Siç është deklaruar nga ZRRE-ja edhe me herët, pritet që rritja e tarifave të jetë rreth 15%. Me datë 30 mars 2023, do të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen e Pepajt.

(Kosova Sot Online)