Stano pas ofertës së Abazoviqit:Selia e dialogut është ende në Bruksel
Lidhur me ofertën e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq që takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë të mbahet në Mal të Zi, është pyetur sot zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Stano ka thënë se është i kënaqur që dialogut është bërë popullor në rajon, megjithatë ka shtuar se selia e dialogut është ende në Bruksel.
“Ne jemi të kënaqur që shohim se dialogu po bëhet popullor në rajon dhe se gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë mundësinë për ta pritur atë, por ne po ecim hap pas hapi, selia e dialogut është në Bruksel”, ka thënë Stano.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic herën e fundit janë takuar në Ohër ku edhe kanë arritur një marrëveshje bazuar në planin franko-gjerman.
(Kosova Sot Online)