Njohja e Kosovës nga Serbia, Kurti: Të bëhet më shumë trysni në Beograd

  • E.K /
  • 29 March 2023 - 08:14
Njohja e Kosovës nga Serbia, Kurti: Të bëhet më shumë trysni në Beograd

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se një trysni shtesë nga Perëndimi do të mund të sillte rezultate në çështjen e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, përcjell “Kosova Sot Online”.

I pyetur nëse Perëndimi po i bën mjaftueshëm trysni Beogradit për ta njohur Kosovën, Kurti tha se është e domosdoshme të bëhen më shumë përpjekje nga ndërkombëtarët në këtë drejtim.

Kurti tha se Serbia nuk është shtet demokratik dhe se atje pushteti bën shumë trysni mbi popullin e vet.

“Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë besoj që është e domosdoshme të bëhet më shumë trysni në Beograd, meqenëse Beogradi ka dëshmuar që pikërisht këtë gjuhë e kupton më së miri. Serbia nuk është shtet demokratik. Atje pushteti bën shumë trysni mbi popullin e vet. Atje nuk pranojnë pluralizëm politik, nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe nuk sundon ligji mbi politikën, por politika mbi ligjin. Andaj, vetëm një përpjekje e përbashkët, me trysni gjithsesi shtesë edhe nga ana e Brukselit, edhe nga ana e Washingtonit, por do të thosha sidomos nga Berlini, Parisi e Roma, do të mund të sillte rezultate”, tha Kurti.

“Është e domosdoshme kjo, pasi që autokratët, bujarinë, gjentilencën e kuptojnë si frikë apo dobësi të palës tjetër. Çfarëdo që i dhe tash Beogradit nga ana e Bashkimit Europian apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata do të trimërohen që të kërkojnë më shumë, edhe të mos heqin dorë nga Kosova, edhe të marrin fonde nga Bashkimi Europian”, ka shtuar Kurti.

(Kosova Sot Online)