Hoti godet Qeverinë Kurti: Kjo s’na kishte ndodhur për 20 vjet

  • A.P /
  • 29 March 2023 - 16:18
Hoti godet Qeverinë Kurti: Kjo s’na kishte ndodhur për 20 vjet

Nga sot ushtrues i detyrës së Guvernatorit të BQK-së do të jetë ushtruesi i detyrës së zëvendësguvernatorit, ka deklaruar deputeti Avdullah Hoti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Hoti thotë se një gjë e tillë s’është parë për 20 vjet në Kosovë.

Hoti duke i quajtur Qeverinë si “mashtrues dhe të paaftë”, thotë se me tendencën për të kapur gjithçka, e kanë bojkotuar zgjedhjen e zëvendësguvernatorit, derisa shton se është dëmtuar tashmë edhe procesi i zgjedhjes së Guvernatorit.

“Nga sot, ushtruesi i detyrës së Zëvendësguvernatorit bëhet ushtrues detyre i Guvernatorit. Ky marifet nuk është parë në 20 vjet.

Këta mashtrues e të paaftë, me tendencë për të kapur gjithçka, gjatë tërë vitit 2022 e kanë bojkotuar zgjedhjen e zëvendësguvernatorit. Ndërkaq, tani e kanë dëmtuar edhe procesin e zgjedhjesh së Guvernatorit duke bërë shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes”, ka shkruar Hoti.

Ai thotë se tashmë është krijuar një situatë e jashtëzakonshme ku kryetari i Bordit të BQK-së mund të marrë detyrën e Guvernatorit.

Hoti potencon se kjo është e dëmshme për ekonominë dhe mesazh shumë i keq për tregun financiar dhe investitorët e jashtëm dhe të brendshëm.

“Kjo ka krijuar situatë të jashtëzakonshme, në të cilën vetë Kryetari i Bordit të BQK-së mund të marrë detyrën e Guvernatorit.

Tmerr. Dëm për ekonominë. Mesazh shumë i keq për tregun financiar dhe investitorët e jashtëm e të brendshëm”, ka përfunduar Hoti.

(Kosova Sot Online)