Bashkim Nurboja ka marrë përkohësisht postin e guvernatorit

  • A.P /
  • 29 March 2023 - 16:46
Bashkim Nurboja ka marrë përkohësisht postin e guvernatorit

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës sot ka mbajtur një mbledhje, ku ka vendosur që kryetari i këtij bordi, Bashkim Nurboja, të marrë përkohësisht postin e Guvernatorit.

Nurboja ka qenë kandidat i VV-së për kryetar të Pejës në vitin 2017 dhe kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019. Gjithashtu në Qeverinë Kurti 1, Kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar Nurbojën zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Gjithashtu, vendim është marrë që dy anëtarët joekzekutivë të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve.

Në komunikatë thuhet se vendimi është marrë “me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, mori vendimin si në vijim: Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve. Vendimi si më lartë është marrë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.”

(Kosova Sot Online)