Vladimir Putin vazhdon të shprehë besim në fitore
Kundërsulmet ukrainase po e vënë gjithnjë e më shumë Rusinë nën presion. Edhe presidenti rus tani pranon se ka vështirësi. Megjithatë, Vladimir Putin vazhdon të shprehë besim në fitore.
“Përsa u përket sulmeve ndaj infrastrukturës kritike në përgjithësi, dhe infrastrukturës energjetike në veçanti, sulmet (ukrainase) ndaj objekteve tona, natyrisht, po shkaktojnë probleme; kjo është e dukshme,” tha presidenti rus Vladimir Putin gjatë një interviste me Pavel Sarubinin, një gazetar të televizionit shtetëror. “Për momentin, po shohim disa mungesa, por ato nuk janë kritike,” shtoi kreu i Kremlinit. Ai tha se Rusia e ka situatën nën kontroll.
Detyra kryesore tani është të forcohen kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Rusisë dhe të sigurohen furnizimet me karburant – veçanërisht për Krimenë, vazhdoi Putini gjatë intervistës me Sarubinin. Agjencitë e lajmeve ruse raportuan për këtë intervistë, versioni i plotë i së cilës u publikua në kanalin Telegram të gazetarit.
Disa orë para intervistës, Putini mbajti një fjalim në kongresin e partisë së tij, Rusia e Bashkuar, ku ai gjithashtu iu referua “problemeve” për të cilat udhëheqja në Moskë ishte e vetëdijshme. “Ne padyshim do të kapërcejmë të gjitha sfidat me të cilat përballemi sot, përfshirë sulmet terroriste në territorin tonë dhe kundër infrastrukturës sonë,” shtoi ai.
(Kosova Sot Online)
