Pasi u çelen dyert për lidershipin kosovar: Asociacioni në tryezën e Uashingtonit

  • A.P /
  • 29 March 2023 - 17:25
Pasi u çelen dyert për lidershipin kosovar: Asociacioni në tryezën e Uashingtonit

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka udhëtuar këtë javë në Shtetet e Bashkuara dhe vizitën zyrtare e ka nisur me një takim me emisarin special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarin.

Me diplomatin amerikan, Konjufca ka thënë se kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe Marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Që në hapje të vizitës, Konjufca në SHBA ka folur për çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për çka thotë se ka marrë garancën se nuk do ta cenojë shtetin e Kosovës, në asnjë dimension, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Pas krizës në veri, për shkak të një vendimi të Qeverisë për zëvendësimin e targave ilegale që i lëshonte Serbia për rajone të Kosovës, prej të cilit fillimisht nuk po hiqte dorë Kryeministri Kurti, është raportuar se ishin anuluar disa vizita zyrtare të qeveritarëve në SHBA. Një prej të apostrofuarve ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ngjarja ka ndodhur në nëntor dhe pas raportimeve, ministrja Haxhiu tha se vizita e saj në Amerikë nuk ishte anuluar/refuzuar, por ishte shtyrë, për shkak të situatës në vend. Këtë vendim, Haxhiu thoshte se e ka marrë në një diskutim. me zyrtarët amerikanë.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, thuhej në një reagim të ministres të publikuar në Facebook.

Në shkurt, në javën e parë të këtij muaji, sipas traditës, liderët kosovarë udhëtojnë në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e “Lutjeve të Mëngjesit”. Këtë vit, shumica e “delegacionit” kosovar përbëhej prej opozitarëve. Në mesin e tyre ishin dy ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Pushteti në këtë ngjarje përfaqësohej nga deputeti Gazmend Gjyshinca.

Në “Lutjet” e sivjetme në Kongresin Amerikan, nuk mori pjesë as Presidentja Vjosa Osmani, as Kryeparlamentari Glauk Konjfuca dhe as Kryeministri Albin Kurti.

Së fundmi, pas marrëveshjes së Ohrit, pushtetarët dhe opozitarët kanë ndërruar akuzat ndaj njëri-tjetrit. PDK dhe LDK, dy partitë kryesore opozitare, që e kanë akuzuar Kurtin për prishje të raporteve me aleatët perëndimorë, janë kundër Propozimit Evropian që u kthye në Marrëveshje Bazë mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Kryeministri Kurti ka marrë të gjitha lavdet nga Perëndimi dhe është uruar nga zyrtarë të lartë amerikanë për “konsruktivitetin” dhe pranimin e marrëveshjes me Serbinë.

Në seancat e mbajtura në Kuvend pas 18 marsit (ditës së marrëveshjes në Ohër), opozitarët i kanë thënë Kurtit se ai dështoi, duke e pranuar marrëveshjen. Kryeministri Kurti ndër të tjerat u kishte thënë se ai është telefonuar në ato qaste nga Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për t’u përgëzuar për marrëveshjen.


(Kosova Sot Online)