Konjufca në Samitin për Demokraci në SHBA: Kosova ka treguar progres të jashtëzakonshëm

  • E.K /
  • 30 March 2023 - 08:04
Konjufca në Samitin për Demokraci në SHBA: Kosova ka treguar progres të jashtëzakonshëm

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka marrur pjesë në Samitin e dytë për Demokraci në SHBA, ku edhe ka marrur pjesë në panelin me temën “Zgjedhje të lira dhe të drejta – Roli i Kongresit në promovimin e politikave të shëndosha zgjedhore dhe pjesëmarrjen e votuesve”, përcjell “Kosova Sot Online”.

Konjufca foli për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në organizimin e zgjedhjeve, duke shtuar se progresi i arritur në këtë fushë ka kontribuar në zhvillimin demokratik të Kosovës.

Konjufca ka shtuar se janë të matur në politikë dhe se janë të përkushtuar për ndërtimin e një shtetit demokratik të qëndrueshëm.

“Kosova ka treguar progres të jashtëzakonshëm në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë dhe se të gjitha proceset elektorale viteve të fundit, sipas raporteve vendore e ndërkombëtare, janë organizuar duke përmbushur standaret më të larta demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta duke dëshmuar kështu pjekuri dhe kulturë të lartë politike dhe qytetare”, ka thënë Konjufca, njofton Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës.

Konjufca potencoi gjithashtu rolin e Kuvendit në këtë process, duke theksuar faktin që pas një përpjekjeje disa vjeçare, tashmë grupet politike parlamentare janë në prag të përmbylljes së punës për reformën zgjedhore, për të mundësuar adresimin e mangësive të shpërfaqura gjatë proceseve të kaluara zgjedhore dhe së shpejti ato ndryshime do të miratohen në Kuvend.

“Pavarësisht sfidave dhe punës që na pret, të arriturat e deritanishme dëshmojnë maturinë tonë politike dhe përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie dhe shteti demokratik të qëndrueshëm”, tha Konjufca.

(Kosova Sot Online)