Ja kur takohen Bislimi e Petkoviq në Bruksel

  • A.P /
  • 31 March 2023 - 21:00
Ja kur takohen Bislimi e Petkoviq në Bruksel

Pas zhvillimeve në Bruksel dhe Ohër, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, radhën e kanë dy kryenegociatorët e palëve.

Në Bruksel, tash pritet të takohen zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Derisa takimin e konfirmoi edhe kryeministri Kurti të enjten, por pa dhënë ndonjë datë të saktë, ky detaj u shpalos të premtën nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas Rohde, Bislimi dhe Petkoviq, në Bruksel, do të takohen të martën e 4 prillit.

“BE-ja e ka bërë të qartë që do të ketë pasoja, por nuk po punojmë për pasoja, por për zbatimin e marrëveshjes, dy palët duhet të punojnë në marrëveshje për çka janë zotuar. Askush nuk ka parë indikacione në Bruksel se nuk duan ta zbatojnë”, deklaroi Rohde, në një diskutim mediatik që u mbajt të premtën në Çagllavicë, me fokus në zhvillimet në dialog.

Ndonëse tha se ka parë deklarata të padobishme, sipas Rohdes, BE-ja po punon për ta filluar procesin e zbatimit.

“Kemi parë deklarata që nuk janë të dobishme. Por jemi duke punuar shumë në Bruksel sidomos zotëri Lajçak dhe ekipi i tij, për të filluar procesin e zbatimit, përsëri të martën e ardhshme është takimi i ardhshëm i parë për këtë çështje për të përkufizuar detajet. Ka një dialog të vazhdueshëm politik për t’i bindur palët e interesuara për ta bërë gjënë e duhur”, ka deklaruar ambasadori gjerman.


(Kosova Sot Online)