Berisha: Rama është xhelat ndaj lirive të shqiptarëve

  • A.P /
  • 02 April 2023 - 13:50
Berisha: Rama është xhelat ndaj lirive të shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë ceremonisë përkujtimore të katër martirëve të demokracisë të vrarë nga regjimi në Shkodër në 2 prill 1991, ku u vranë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku, akuzoi Edi Ramën, se sot sillet ndaj shqiptarëve, njësoj si babai i tij në vitin 1988, kur firmosi për varjen e poetit, Havzi Nela.

Fjala e plotë kryetarit të PD-së, Sali Berisha:  

Të dashur familjarë, të afërm të martirëve të 2 prillit. Të dashur të persekutuar politikë, të pranishëm në këtë tubim. Drejtues të shoqatave antikomuniste. Të nderuar zotërinj deputetë. I dashur z. Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahija.

Zonja e zotërinj!

Së pari, unë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për familjarët e të rënëve që janë sot midis nesh në këtë 32 vjetor të martirizimit të bijve të tyre. Sot në zemrat tona, në mendjen tonë, bijtë tuaj dhe të Shkodrës, në zemrat e mbarë qytetarëve të Shkodrës dhe njerzve liridashës kudo, ata janë dhe mbeten më të gjallë se kurrë.

Ne përulemi sot me nderimin më të madh para sakrificës së tyre. Para sakrificës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës. Të rinj të cilët, 32 vite më parë mbushën këtë shesh për të protestuar paqësisht për votën e lirë. Për të protestuar kundër një diktature, e cila në një akt barbar zgjodhi kremtojë votën e rrëmbyer, zgjedhjet e rrëmbyera, me një masakër që Shkodra nuk e kishte parë në histori. Në breshëritë e falangave terroriste, të partisë terroriste, ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit. Por edhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë.

(Kosova Sot Online)