Propaganda serbe me dokumentar special në RTS-së kundër udhëheqësve të UÇK-së pak ditë para nisjes së gjykimit në Hagë

  • S.A /
  • 03 April 2023 - 08:09
Propaganda serbe me dokumentar special  në  RTS-së kundër udhëheqësve të UÇK-së pak ditë para nisjes së gjykimit në Hagë

Serbia po vazhdon me propagandën e saj duke e shfrytëzuar Radiotelevizionin e Serbisë që të bëjë një film dokumentar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për kinse trafikim organesh të kryera nga shqiptarët ndaj serbëve gjatë vitit 1999, transmeton "Kosova Sot Online".

Pak ditë para fillimit të gjykimit të ish-krerëve të luftës në Hagë, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe RTS, kanë realizuar një dokumentar propagandistik rreth ‘Shtëpisë së verdhë’.

Ky dokumentar bazohet në pretendime për trafikim organesh të kryera nga shqiptarët ndaj serbëve gjatë vitit 1999.

Në këtë realizim jo të rastësishëm, hamendësohet se janë krijuar kampe pengjesh, një nga këto sipas tyre ishte në Kukës dhe tjetra në të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ në Mat.

Komuniteti i artit në Kosovë këtë dokumentar e ka parë tejet tendencioz dhe jo të vetmin të kësaj natyre të realizuar nga kinematografia serbe.

“Është e disata here që kinematografia serbe bënë kësi tema propaganduese për qëllime të veta politike, për me bo tema ditore të vetat”, tha për RTK Fatmir Spahiu, aktor.

Spahiu shtoi se janë bërë përpjeke disa herë në Kosovë për të realizuar projekte për të vërtetën e luftës.

“Krejt kolegët tanë I kanë nga 2 a 3 projekte në sirtare. Na nuk kemi nevojë për propagandë, kemi nevojë me tregu të vërtetën tonë”, tha Spahiu.

Ndërsa, regjisori i dokumentarëve Ekrem Xani e cilëson jo profesional këtë dokumentar.

“Ky dokumentar është i bazuar në fakte jo të vërteta, mu më ka habitë mendësia e regjisorëve serb, ish dashtë me qenë ma profesionist, kjo nuk i ka ndihmuar as serbeve”tha Xani.

Autorja e dokumentarit është Slladana Zariq, dhe kur u bë prezantimi i tij, ishin pothuajse të gjithë liderët institucionalë të Serbisë.

(Kosova Sot Online )