Gjukanoviq jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë

  • A.P /
  • 05 April 2023 - 21:06
Gjukanoviq jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë

Nga pozita e kreut të partisë, ka dhënë dorëheqje lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në Mal të Zi, Millo Gjukanoviq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka qenë disa herë president dhe kryeministër i këtij shteti.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka mësuar se Gjukanoviq e ka bërë të ditur këtë vendim në një sesion të partisë në pasditen e së mërkurës, dhe se një takim i kryesisë së partisë është caktuar për 6 prill, kur do të formalizohet vendimi.

Gjukanoviq ka dhënë dorëheqje nga pozita e liderit të partisë vetëm tri ditë pasi ka humbur në zgjedhjet presidenciale ndaj Jakov Millatoviqit nga Lëvizja Evropa Tani.

Gjukanoviq ka qenë presidenti i DPS-së prej vitit 1998, kur e ka marrë pushtetin nga presidenti paraprak, Momir Bullatoviq.

Gjukanoviq do të zëvendësohet si kryetar partie nga udhëheqësi aktual i klubit parlamentar të DPS-së, Daniel Zhivkoviq.

(Kosova Sot Online)