Në shërbim të Ramës/ Paloka ironizon Yuri Kim: Zonja McGonigal po tenton të marrë këstin e fundit

  • E.K /
  • 06 April 2023 - 09:38
Në shërbim të Ramës/ Paloka ironizon Yuri Kim: Zonja McGonigal po tenton të marrë këstin e fundit

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD dhe deputeti Edi Paloka, ka reaguar pas deklaratave të ambasadores Yuri Kim një ditë më parë, ku sulmoi sërish liderin e opozitës Sali Berisha. 

Në një postim në rrjetet sociale, Paloka shkruan me ironi se Yuri Kim po përpiqet të marrë këstin e fundit, duke nënkuptuar punën e saj shërbyese ndaj Edi Ramës edhe kur i kanë mbetur pak ditë nga mandati i saj në Shqipëri. 

Paloka e quan Kim, zonja McGonigal, duke iu referuar ish-zyrtarit të FBI që u korruptua nga kryeministri për të lobuar kundër PD-së dhe liderit të saj Sali Berisha në SHBA, lobim i cili solli vendimin korruptiv të non grata. 

Kritikat ndaj Kim, Paloka i vijoi edhe në një intervistë për emisionin e mëngjesit të Vizion +. 

"Në 2021 thamë 1000 gjëra dhe ikëm e shkatërruam PD. Këtë herë nuk do lejojmë me të gjitha mënyrat që të vendoset rezultati i zgjedhjeve nga presione qeveritare dhe para mafie dhe inceneratorësh. Ata që do e bëjnë do japin edhe llogari për këtë. Reagimin e kanë bërë demokratët dhe shqiptarët që para një viti. E kanë marrë përgjigjen zonja McGonigal e të gjithë që i shërbejnë Ramës.Ata kishin si qëllim eliminimin e opozitës. Por ajo fazë ka kaluar. Demokratët janë përditë në betejë me Edi Ramën për të çuar në shtëpi Ramën dhe veglat e tij. Zonja pret këstin e fundit, se këtë ka bërë që ditën e parë që ka ardhur është vënë në shërbim të Ramës sepse merr diçka. Skandali McGonigal e bëri të qartë se si funksionojnë këto gjëra. Do ketë prapë mbështetje për Ramën që zonja të meritojë këstin e fundit”, tha Paloka.

Por këtyre deklaratave iu përgjigj ambasada amerikane duke i quajtur ato baltosje dhe gënjeshtra.  

"Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA. Këto metoda të vjetra janë të padenja për një aleat krenar të NATO-s, vend aspirant për në BE, dhe mik të vyer të Shteteve të Bashkuara. Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën".  

Ndërkaq, Edi Paloka ka bërë një tjetër deklaratë të fortë duke u shprehur se "ambasadorja Kim është paguar që ditën e parë që ka ardhur nga kryeministri Edi Rama për ta mbështetur atë në çdo gjë".

(Kosova Sot Online)