Krasniqi: Kosova po zbrazet, 147 persona në ditë largohen për një jetë më të mirë jashtë vendit

  • E.K /
  • 06 April 2023 - 14:22
Krasniqi: Kosova po zbrazet, 147 persona në ditë largohen për një jetë më të mirë jashtë vendit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, sot në Kuvend foli për çështjen e largimit të njerëzve nga Kosova, përcjell “Kosova Sot Online”.

Krasniqi tha se këto dy vitet e fundit, 147 persona e lëshojnë Kosovën në ditë, për një jetë më të mirë jasht vendit.

Po ashtu, ai tha se nga Kosova po largohen qoftë njerëz nga qyteti dhe nga fshati.

Ai tha se edhe njerëzit e punësuar po ikin.

“Përgjatë dy viteve të fundit mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën për me kërku një jetë më të mirë jashtë vendit. Mesatarisht mbi 1000 qytetarë në javë. Pra gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, 107310 qytetarë kanë ikur nga Kosova. Jo si turistë, por si mërgimtarë që e kanë e kanë humbur shpresën dhe besimin në perspektivën që mundet ta ofrojë shtetin tonë”.

Krasniqi tha se ata që po ikin nga vendi janë nga çdo kategori e shoqërisë, mjekë e mësimdhënës, infermierë e arkitektë.

“Vetë e me familje. Nga fshati e nga qyteti, nga çdo cep i Kosovës. Të papunë e të punësuar. Kosova po zbrazet, vendi ynë po shpopullohet e familjet tona po zvogëlohen. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde, kryeministër. Ky migrim i paprecedentë flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me punën tënde. Çka do që flet kryeministër s’ka asnjë vlerë. Mos u merr me neve në Kuvend. Tregoju atyre rreth 100 mijë familjeve që iu kanë ikur fëmijët gjatë qeverisjes tënde se çfarë suksesi ke arritur dhe si ja u ke përmirësuar jetën”.

(Kosova Sot Online)