Gashi: Në kohën e kësaj Qeverie kanë ikur 100 mijë qytetarë nga vendi

  • A.P /
  • 06 April 2023 - 17:49
Gashi: Në kohën e kësaj Qeverie kanë ikur 100 mijë qytetarë nga vendi

Ky pushtet disa herë ka marr karton të kuq dhe është i dobët e fatkeqësi për vendin, ka deklaruar deputeti Arben Gashi,  transmeton gazeta “Kosova Sot  Online".

Gashi ia kujtoi Kurtit premtimin e tij rreth reciprocitetit me Serbinë, gjersa ia faktoi se deri më tani kjo Qeveri ka thyer rekordet e importit nga Serbia në vlerën prej 370 milionë euro. 

“4.7 miliard euro është deficiti tregtar. Tatimin në pronë e rritët për 100%, ndërsa inflacioni sipas Bankës Botërore është arritur në 20%, e për produkte esenciale është mbi 50%, e ju vazhdoni të qeverisni me britma pa asnjë plan e veprim përballë krizave që po i shtoni dhe i thelloni më tej”, tha Gashi.

Ai, tha se kjo Qeveri nuk i kishte dëgjuar as propozimet e LDK-së për tu përballur me krizën; pezullimin e akcizës në naftë, heqjen e TVSH-së në produkte bazike, për një periudhë të caktuar, si dhe rritjen e pagave në bazë të rritjes së normës së inflacionit.

“Investimet kapitale për 9 muajt e vitit 2022 kanë qenë vetëm 11%. A e dini çfarë i keni bërë ekonomisë së vendit? A e dini se i keni bllokuar 800 milion euro në buxhet në kohën kur vendi dhe qytetarët kishin më së shumti nevojë? A e dini se vetëm nga shuma e parave që është zhvleftësuar nga mosveprimi juaj do të bëheshin shumë projekte”, nënvizoi Gashi.

Gashi, theksoi se në kohën e kësaj Qeverie kanë ikur 100 mijë qytetarë nga vendi.

Sa i përket fushës së energjisë, Gashi tha se kjo Qeveri, nga paaftësia e saj i ka dhënë qindra milion euro, ndërsa faturën e rrymës e ka shtrenjtuar dy herë; herën e parë 100%, ndërsa të dytën 15%, dhe shtoi se ende po vazhdon pagesa e faturave për serbët në veri të vendit.

“Thatë sigurime shëndetësore në vitin 2022, rezultati zero; as penj dhe gjërat më elementare për shëndetësi nuk i siguruat, ndërsa 180 mjek dhe qindra infermierë ikën nga vendi dhe nga sektori publik. Tre ministra i ndërruat, ndërkaq 80 ditë e latë ministrin pa ministër të shëndetësisë, ndërsa listat e pritjes për të marrë shërbimet kanë arritur rekordet”, specifikoi Gashi.

Sipas Gashit, Qeveria ka projektuar investime të reja vetëm në tre komuna, të cilat udhëhiqen nga partia në pushtet, dhe se i ka dënuar 18 komuna të tjera vetëm se nuk menaxhohen nga kjo parti.

“Aq shumë kartonë të kuq ka marr kjo Qeveri nga tentimet për ta kapur drejtësinë sa që është e paimagjinueshme”, theksoi Gashi.

Për temën e dialogut me Serbinë, Gashi tha se Kurti i ka thyer të gjitha premtimet e veta, dhe po themelon “autonominë territoriale për komunat me shumicë serbe”, me ç’rast, tha se kjo është shkelja dhe atentati më i rëndë që kryeministri ia ka bërë kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëve të vendit.

“Fatkeqësisht, ju jeni fatkeqësia e këtij vendit”, tha Gashi në fund të fjalës së tij.

(Kosova Sot Online)