Serbia nis fushatë të re për çnjohje të Kosovës

  • E.K /
  • 07 April 2023 - 07:55
Serbia nis fushatë të re për çnjohje të Kosovës

Serbia të enjten nisi fushatën më të re kundër pavarësisë së Kosovës.

Ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, shkoi për vizitë në disa shtete të Azisë Qendrore. Stacioni i parë ishte Kirgistani, ku në kryeqytetin Bishkek ai takoi krerët më të lartë të shtetit që vizitoi.

“Ky është vendi që gjithmonë ishte në anën serbe. Ky është një vend që gjithnjë ka votuar kundër pranimit të Kosovës, si në UNESCO ashtu edhe në Interpol. Qëndrimet e tyre janë shumë të palëkundshme, ata thonë se kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e shpallur të njëanshme të Kosovës, nëse Serbia është kundër kësaj”, tha Daçiq nëpërmjet një videoje që e lëshoi MPJ e Serbisë.

Ndërkohë po të enjten, në kryeqytetin serb, presidenti i këtij shteti Aleksandar Vuçiq, priti homologun nga Republika e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo.

Nikoqiri falënderoi mysafirin për atë që Vuçiq e quan respektim të integritetit territorial të Serbisë. E mysafiri tha se shteti që po e viziton e populli i tij janë vëllazëror për vendin e tij.

Sipas pretendimeve të zyrtarëve serbë, siç është Daçiq, Guinea Bissau ka tërhequr njohjen e Kosovës shtet të pavarur e sovran, para disa viteve.

Por në listën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë, të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008, Guinea Bisau e ka bërë një gjë të tillë më 10 Janar 2011.

(Kosova Sot Online)