Jabllanoviq: Ja pse më frikëson heshtja e Listës Serbe
Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq që do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 23 prillit në veri, ka folur për parashikimet rreth mbajtjes së këtyre zgjedhjeve dhe në përgjithësi për situatën e sigurisë në këtë pjesë.
Ministri i shkarkuar në qeverinë Mustafa në shkurt të 2015 dhe dikur anëtar i Listës Serbe ka akuzuar këtë parti për tensionet në veri duke shprehur frikën se mund të realizohen paralajmërimet për incidente para dhe gjatë procesit zgjedhor.
“Vendimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit ishte i komplikuar, për faktin se edhe koha e shpalljes së tyre dhe rrethanat që çuan në shpalljen e tyre ishin të komplikuara dhe të dirigjuara nga Lista Serbe”, ka thënë Jabllanoviq.
Kreu i Partisë së serbëve të Kosovës, e vetmja serbe që do të jetë pjesë e zgjedhjeve ka theksuar tutje se zgjedhjet në këtë pjesë janë përcjellur përherë me incidente andaj duhet marrë me seriozitetin më të lartë paralajmërimet për tensione.
“Duke njohur Listën Serbe, njerëzit që e udhëheqin dhe metodat që i përdorin, unë për fat të keq, nuk do ta përjashtoja asesi dhunën disa ditë para dhe në ditën e zgjedhjeve. Dhuna është e mundshme, për këtë po flitet edhe në kafeteritë në veri, gjatë bisedës me njerëzit, ata frikësohen çfarë do të jetë reagimi nga Lista Serbe por më së shumti më frikëson se ata janë shumë të heshtur, meqë kur ata heshtin do të thotë se diçka po përgatisin”, ka vijuar ai.
Jabllanoviq, partia e së cilit e ka quajtur stad të fundit të çmendurisë ftesën për kryengritje që Lista Serbe i bëri popullatës në veri, tha se kjo listë po përpiqet të largojë përgjegjësinë dhe të fajësojë ,siç tha “një armik imagjinar nga Prishtina”.
“Për ç’arsye t’i ftojmë serbët në kryengritje”? Për arsye se janë larguar targat KM? E tash duhet pyetur: kush e lejoi këtë? Këtë e ka nënshkruar delegacioni ynë në Bruksel dhe këtë duhet thënë serbëve, dhe jo t’u thuhet se ne në Bruksel nuk kemi nënshkruar asgjë dhe tash gjoja se neve shqiptarët po na marrin diçka. Tash Lista Serbe dëshiron t’i lajë duart për të gjitha këto dhe të fajësojë një armik imagjinar nga Prishtina”.
Ai shpreson se para së gjithash KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës, do të krijojnë klimë të sigurtë që zgjedhjet të zhvillohen, pa mundësinë që persona të caktuar nga veriu apo të sjellur nga Serbia Qendrore në mënyrë fizike të pengojnë procesin.
(Kosova Sot Online)