Serbi gjakos policin e Kosovës në Jarinjë

  • A.P /
  • 07 April 2023 - 22:00
Serbi gjakos policin e Kosovës në Jarinjë

Pas refuzimit për të treguar dokumentacion, një shtetas i Serbisë ka sulmuar fizikisht një zyrtar të Policisë së Kosovës, në pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje, sot rreth orës 16:30, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet N.T., i lindur në vitin 1981 fillimisht ka fyer zyrtarët policorë kufitar.

“Pas refuzimit për hyrjes në vendin tonë, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar. Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sulmi që ka pasuar, e ka lënë të lënduar zyrtarin policor, duke e detyruar që të kërkoj trajtim mjeësor.

“Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor.

Policia ka njoftuar se rastin është njoftuar prokurori dhe se ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘sulm ndaj personit zyrtar’.

“Me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në fund.


(Kosova Sot Online)