Pse Rakiqit nuk po i pëlqen reagimi i ambasadorit Hovenier?

  • A.P /
  • 11 April 2023 - 20:22
Pse Rakiqit nuk po i pëlqen reagimi i ambasadorit Hovenier?

Me reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, lidhur me një incident në veri, Lista Serbe po ndihet thellësisht e shqetësuar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kjo parti serbe thotë se Hovenieri, “në vend që të dënojë qartë tentativën për vrasjen e Milan Jovanoviqit” mbrëmë në Zveçan, “ai është i shqetësuar!?”.

 

“Vetëm pasi Lista Srpska reagoi dhe theksoi se Milan Jovanoviq ishte viktimë e një sulmi të armatosur nga forcat speciale të Kurtit, të cilët ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës”, thotë reagimi i Listës Serbe, për të vazhduar, “vonë pasdite, reagoi i shqetësuari zotëri Hovenier dhe e bëri këtë deklaratë të turpshme me të cilën zvogëlon përgjegjësinë e atyre që derdhën gjakun serb, me të cilën ambasadori i shqetësuar shkaktoi shqetësimin e mbarë popullit serb, aq më tepër që po punon për normalizimin e situatës”, thotë Lista Serbe në reagimin publik.

Për më tepër, kjo parti ka shprehur pezmin e saj pse misionet tjera diplomatike në Kosovë nuk po reagojnë për këtë rast, siç kanë reaguar në rastet e djegies së veturave serbe në veri.

“Për kujtim, për shkak të makinës së djegur për çka askujt nuk i është vënë përgjegjësia, kanë reaguar të gjitha ambasadat e Quint-it, misionet dhe organizatat ndërkombëtare, madje disa ambasadorë kanë thirrur Listën Serbe, por kur për të tretën herë qëllohet ndaj serbëve, civilë, e mbrëmë edhe ndaj babait të tre fëmijëve, nuk ka asnjë dënim nga ambasadorët e QUINT-it apo kërkesa për ndalimin e sulmeve ndaj qytetarëve të pafajshëm serbë”, u shpreh partia serbe e Kosovës.

Me këto veprime, Lista Serbe thotë se “për të gjithë qytetarët tanë është e qartë se ambasadorët e QUINT-it po bëjnë të kundërtën e asaj që është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve në Kosovë”.

Kujtojmë se dje u raportua për një serb të plagosur në veri të Kosovës. Nga raportimet e para u tha se dyshohet që plagosja ka ardhur nga një zyrtar policor i Kosovës, por që kjo informatë dje u demantuar nga vetë institucioni i Policisë.

Megjithatë, gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës njoftoi se ka suspenduar një zyrtar policor i cili dyshohet se ishte i përfshirë në plagosjen e një personi të hënën në Leposaviq.

Veç tij, janë suspenduar edhe tre zyrtarë të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

(Kosova Sot Online)