Berisha: Heshtja kriminale e Ramës faktoi se ai qëndron pas aktit terrorist ndaj kryetarit demokrat

  • E.K /
  • 13 April 2023 - 14:25
Berisha: Heshtja kriminale e Ramës faktoi se ai qëndron pas aktit terrorist ndaj kryetarit demokrat

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi sot në foltoren e Kuvendit, se heshtja e kryeministrit Edi Rama për atentatin ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës, tregon se ai është përgjegjës.

“Sot, seanca duhej t’i kushtohej aktit të shëmtuar terrorist shtetëror, me të cilin partia terroriste e krimit, u shfaq me gjithë shëmtinë e saj në Paçram të Vaut të Dejës, ku vendosi tritol për t’i marrë jetën një politikani të ri, një qytetari shembullor, bir të një familje shembullore. Nuk ka diskutim se prapa çdo atentati politik, qëndron politika. Në mënyrën më të shëmtuar e faktoi këtë Edi Rama me heshtjen e tij kriminale 48-orëshe.

U godit për t’i marrë jetën një politikan i ri, mbi të cilin janë vetëm ëndrrat dhe idealet më fisnike të njeriut, të atdhedashurisë, të besimit te liria. U godit si kundërshtar politik, në mënyrën më kriminale, më të shëmtuar, dhe natyrisht ata, të cilët panë se shpëtoi, nuk guxuan dot të shqipërojnë një fjalë të vetme dënimi, solidariteti me familjen, përkundrazi u strukën në labirintet e krimit të tyre të shëmtuar. Dhe ky është Edi Rama.

Nuk ka kryeministër në botë nëse do ishte dorëjashtë, që nuk do dënonte në mënyrën më të fuqishme një akt të tillë, të dokumentuar mirëfilltas si krim politik, përveç atij që e ka porositur, përveç atij që është rikthyer te genet e etërve të tij. Unë i shpreh solidaritetin tim më të madh Benard Ndrecës, familjes, demokratëve të Vaut të Dejës. 

Dënoj heshtjen kriminale të Edi Ramës që faktoi se qëndron me këtë heshtje prapa këtij akti të vërtetë të terrorizmit shtetëror,” tha Berisha.

Ai e vazhdoi këtë temë edhe në oborrin e Kuvendit.

“Një nga organizimet më të shëmtuara për t’i marrë jetën një njeriu për fajin e vetëm se është kundërshtar i Edi Ramës. Edi Rama është në panik të tmerrshëm. Edi Rama konstaton se kudo po i rrëshqet toka nën këmbë dhe u kthye te praktikat më agresive të Partisë së Punës.

Edi Rama u kthye në genin e tij familjar që përbëhet nga xhelatë të intelektualëve shqiptarë. Vetëm me këtë mund të shpjegohet heshtja prej varri e Edi Ramës si porositës i aktit terrorist në Vaun e Dejës.

Kurrë një kryeministër, nëse do ishte dorëjashtë, nuk mund të heshte, por do ishte më i pari që do dënonte një akt, planifikimin e likuidimit politik të kundërshtarit politik. Por Edi Rama nuk e bën dot këtë, nuk do të kapë autorët sepse qëndron pas këtij akti.

Edi Rama ka falanga krimi qoftë në Policinë e Shtetit, me ndryshimet që ka bërë në SHISH, e ka rikthyer atë në kohën e Fatos Klosit kur ndërmerrte akte terroriste,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)