Nagavci: Ndërtimi i çerdheve është fokusuar në tri drejtime

  • A.P /
  • 13 April 2023 - 16:35
Nagavci: Ndërtimi i çerdheve është fokusuar në tri drejtime

Deri më tani është realizuar 24 përqind e premtimit për 160 çerdhe, ka theksuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nagavci ka theksuar se ndërtimi i çerdheve është fokusuar në tri drejtime përfshirë ndërtimin e çerdheve të reja në lokacionet e dërguara nga ana e komunave, adaptimin e objekteve ekzistuese në çerdhe të reja dhe ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara si model i ri.

“Këtu duhet të përmend se çerdhet e parafabrikuara janë trend gjithnjë e në rritje në botë, sepse janë në kuadër të Agjendës së gjelbërt, pra shkurtojnë dukshëm kohën e ndërtimit nga rreth 2 vite në 4 muaj”, deklaroi Nagavci.

Tutje, ajo shtoi se për dy vite qeverisje janë përfunduar 4 çerdhe të reja, në proces është ndërtimi i 19 çerdheve, e po ashtu në proces janë 5 adaptime nga shkolla në kopshte.

Ministrja tha se sot pritet të publikohet në E-prokurimi shpallja për angazhimin e kompanisë projektuese që do të bëjë projektimin për çerdhet e parafabrikuara dhe ftoi kompanitë e interesuara që të bëhen pjesë e këtij procesi. Ndërsa, theksoi se shumë shpejt do të hapet tenderi për ndërtimin edhe të 4 çerdheve në Prizren, Deçan, Viti dhe Obiliq.

(Kosova Sot Online)