Azemi: Diskriminimin ndaj qytetarëve për faturimin e rrymës së veriut e dëshmoi Supremja
Pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila konstatoi se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë t’i kërkojnë paratë që iu faturuan për rrymën në Veri, ka reaguar anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Azemi ka thënë se Gjykata Supreme e dëshmoi e bërë diskriminimin ndaj qytetarëve.
“Sot Gjykata Supreme dëshmoi diskriminimin ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët u faturuan padrejtësisht me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, me 100 milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës në vitin e kaluar, u vazhduar avazi i qeverisjes së PAN-it.
“Vitin që shkoj, Qeveria e Kosovës kishte ndarë rreth 100 milionë euro për ti mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike për konsumatorët në veri të vendit, duke vazhduar avazin e qeverisjes së PAN-it. E gjithë kjo, nga paaftësia për t’u zbatuar marrëveshja për inkasim të faturave dhe duke mos pasur asnjë plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Gjendja po mbetet e njëjtë. Pavarësisht krekosjes për shtrirje të sovranitetit në Veri, rezultati i këtij pushteti po del të jetë vazhdimi i trajtimit të pabarabartë të qytetarëve. Kurse, marrëveshjet e Brukselit të proklamuara si të sukseshme po rezultojnë farsë”, ka shkruar në fund Azemi.
Gjykata Supreme e ka refuzuar sot si të pabazuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të pa-paguar në katër komunat veriore.
Sipas aktgjykimit të Supremes, konsumatorët që kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve
Supremja ka konstatuar se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit, dhe anulimin e vendimit të ZRRE.
(Kosova Sot Online)