Rasti McGonigal, Escobar: Çështje penale e hapur, SHBA marrëdhënie me popullin, jo me individin

  • E.K /
  • 14 April 2023 - 10:21
Rasti McGonigal, Escobar: Çështje penale e hapur, SHBA marrëdhënie me popullin, jo me individin

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u pyet në një intervistë për Top Story me Grida Dumën, lidhur me çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles Mcgonigal dhe përfshirjes së emrit të kryeministrit Edi Rama në dosjen që po hetohet.

Ai nuk pranoi të fliste për një çështje të hapur penale, por tha se se marrëdhënia e SHBA është me popullin dhe institucionet, jo individët.

Grida Duma: Çështja McGonigal. Është ende në vazhdim dhe ka shumë pikëpyetje në opinionin publik në Shqipëri. A i dëmtoi marrëdhëniet pas akuzave të asaj dosjeje me kryeministrin Rama-mes kryeministrit Rama dhe SHBA-së?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të them dy gjëra. Një, unë nuk mund të flas për një çështje të hapur penale. Gjëja e dytë siç e përmenda më parë, marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është me popullin e Shqipërisë, me institucionet, jo me një parti dhe jo me një individ. Thënë kështu, do të thoja se marrëdhënia jonë me Shqipërinë është më e mira që kemi pasur ndonjëherë.

Grida Duma: Më e mira që keni pasur ndonjëherë. Për sa i përket ligjit për investimet strategjike, edhe dosja McGonigal na ka shfaqur një ilustrim se ai ndoshta ka nevojë për shumë amendamente ose disa amendamente në mënyrë që kompanitë ruse të mos fshihen pas disa mënyrave të ndërlikuara për të hyrë në sektorë strategjikë që janë tani, pas luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, në një pozicion tjetër. Çfarë mendoni për kuadrin tonë ligjor për investitorët strategjikë?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Mendoj se të gjitha vendet e rajonit, në të gjitha vendet e Europës, në fakt duhet të kenë njëfarë kontrolli të investimeve. Dhe ky ka qenë një diskutim i hapur me të gjithë partnerët tanë. Mendoj se të gjithë i kuptojnë rreziqet e pastrimit të parave, rreziqet e ndikimit keqdashës rus dhe do të thoja se ne kemi një dialog të hapur me qeverinë, këtë qeveri dhe të gjitha qeveritë e rajonit se si duhet të trajtojmë atë lloj investimi, qoftë ai kinez apo rus dhe si e trajtojmë ne së bashku.

(Kosova Sot Online)