A mund të kompensohen qytetarët për rrymën e faturuar të veriut?

  • A.P /
  • 14 April 2023 - 21:40
A mund të kompensohen qytetarët për rrymën e faturuar të veriut?

Miliona euro që iu faturuan për rrymën e shpenzuar në veri të vendit, do të mund t’u kompensohen qytetarëve, duke paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, e cila jashtëligjshëm ua kishte faturuar energjinë.

Florim Shefqeti, avokat thotë se ZRRE-ja ka kohë katër muaj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar aktgjykimin e Supremes. Por, ai nuk pret që kjo kushtetuesja të vendosë ndryshe nga gjykatat e tjera.

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji thanë se janë duke e shqyrtuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Zyra e Rregullatorit për Energji ka pranuar aktgjykimin nga Gjykata Supreme më 3 prill 2023. Zyra është në proces të vlerësimit të këtij aktgjykimi dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme”, kanë theksuar nga ZRRE, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Njohës të çështjeve energjetike thonë se faturimi siç ka vepruar ZRRE- nuk është dashur të ndodhte.

“Qytetarët janë dëmtuar nga viti 2012 deri në vitin 2017 si rezultat i një vendimi të ZRRE-së, i cili i ka detyruar të paguajnë rreth 49 milionë euro”, ka theksuar Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë. Ndërkaq, Hamdi Malushaj, ka thënë se mospagesa e rrymës në veri do të thotë se ata nuk dëshirojnë rrymë. Në të kundërtën, sipas tij kur dëshiron të kesh rrymë duhet edhe ta paguash, e jo që për shpenzimet e tuaja të detyrohet të paguajë dikush tjetër.

Sipas institutit GAP, nga viti 1999 e deri më 2017 qytetarëve u kanë ardhur faturat për rreth 3.5% më shtrenjtë, që i bie deri në 11 milionë euro në vit. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë raportimit të fundit në Komisionin parlamentar për  Punë të Jashtme pati thënë se energjia e shpenzuar në veri arrin vlerën e 320 milionë eurove.


(Kosova Sot Online)