Për vrasjen makabre në Pejë, gjithçka që është zbuluar deri tash

  • S.A /
  • 15 April 2023 - 08:18
Për vrasjen makabre në Pejë, gjithçka  që është zbuluar  deri tash

Një krim makabër ka ndodhur dje në Pejë, ku është vrarë një grua. I dyshuar për vrasjen është djali i saj, transmeton "Kosova Sot Online".

Kosova është tronditur dje nga një vrasje makabre që ka ndodhur në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë. Një grua atje dyshohet se u vra nga djali i saj.

 

Rastin  e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Sot rreth orës 16:00 policia ka marrë një informacion në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, me të arritur në vendin e ngjarjes kemi parë është se bëhet fjalë për vrasje të rëndë teksa vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi kujdestar”, deklaroi Rugova.

Zyrtarët e Prokurorisë Themelore në Pejë e kanë përshkruar rastin si mjaft të rëndë.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka bërë të ditur se “dyshohet se i biri e ka privuar nga jeta të ëmën”.

“Kemi dalë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipin e forenzikës, janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës”, tha prokurorja Gashi.

Sipas saj, janë siguruar edhe dëshmitarë të afërt të ngjarjes.

“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, në prani të mbrojtësit, mirëpo nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet. Kemi urdhëruar që, nesër, në prezencë edhe të psikologut dhe avokatit mbrojtës, të provohet që të merret deklarata e tij”, theksoi prokurorja Gashi.

Ajo shtoi se në bazë të rrethanave, do të urdhërojnë edhe ekzaminimin e të dyshuarit në Instituin e Psikiatrisë Forenzike. Megjithatë, as zyrtarët e policisë dhe as prokurorisë nuk kanë dhënë sqarime specifike se në çfarë mënyre dhe me çfarë mjetesh është kryer vepra penale e vrasjes. Gjithashtu, ata nuk kanë dhënë as sqarime se cilat janë motivet e dyshuara për veprën penale, duke thënë se rasti është ende në fazën e hetimeve.

Pa konfirmimin e organeve përkatëse për krimin tragjik në Pejë, mediat kanë raportuar për arsyet që mund ta kenë shtyrë të riun që t’ia marr jetën nënës së tij.

Në deklarimet e tyre  qytetarët kanë thënë se vrasja mund të lidhet me ndarjen e të dyshuarit nga gruaja e tij, për të cilën gjë ai e kishe akuzuar të ëmën.

I dyshuari thuhet se jetonte jashtë shtetit dhe ishte kthyer së fundmi.

Banorët po ashtu kanë thënë që ai ishte përdorues i narkotikëve dhe ishte i divorcuar dy herë.

Qytetarët kanë dhënë informacione thonë se djali kishte qenë jashtë shtetit për disa muaj dhe ka pak kohë që është kthyer në Pejë. Dyshimet e para janë që ka të bëjë me një lidhje martesore që djali kishte me një vajzë. Ai ka akuzuar nënën e tij, që ajo ishte shkaktare që ai është ndarë me gruan e tij. qytetarët kanë thënë se ai ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe ishte dy herë i martuar. Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

(Kosova Sot Online )