Përfundon seanca dëgjimore ndaj kryeshefit të KEK Nagip Krasniqi

  • A.P /
  • 20 April 2023 - 15:53
Përfundon seanca dëgjimore ndaj kryeshefit të KEK Nagip Krasniqi

Seanca dëgjimore ndaj kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka përfunduar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lajmin për përfundimin e seancës e ka konfirmuar  avokati i Krasniqit, Taulant Ferizi.

“Seanca ka përfundu, nuk ka vendim ende. Të paktën nuk jemi të informuar që ka vendim, kaq mundem me u deklaru njëherë”.

I pyetur se cilët ishin fjalët e klientit të tij në gjykatë, avokati tha se ai ka kërkuar të mos i shqiptohet masa e paraburgimit.

“Dihen fjalët e tij, ka kërku mos me ju shqiptu masa e caktimit të paraburgimit”, tha avokati duke refuzuar të flasë më shumë rreth kësaj çështje.

Një vendim pritet ta marrë sot gjykata, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit.

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u arrestua të mërkurën nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ , dhe ‘’Konflikti i interesit’’.


(Kosova Sot Online)