Kurti: Blerim Isufaj nuk e ka asnjë rast të fituar në Gjykatë

  • A.P /
  • 20 April 2023 - 17:13
Kurti: Blerim Isufaj nuk e ka asnjë rast të fituar në Gjykatë

Ndaj prokurorit, Blerim Isufaj, dekretimi i të cilit si Kryeprokuror tash e sa muaj ka mbetur pezull nga ana e presidentes së vendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar sulmin e tij, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kreu i ekzekutivit sërish ka thënë se prokurori, Blerim Isufaj nuk e ka asnjë rast të fituar në Gjykatë.

Tutje ai thotë se Isufaj po dëshiron të bëhet Kryeprokuror përkundër Presidentes, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit.

“Bëhet fjalë për një Prokuror, i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike, që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të Informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht, bëhet fjalë për një Prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në Gjykatë. Dhe pikërisht ky Prokuror dëshiron të bëhet Kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë. Është siklet i madh dhe është mbështetje e madhe për një njeri, i cili përkundër tre krerëve shtetërorë, përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të, dëshiron të bëhet Kryeprokuror”, shkruan Kurti.

Në një postim të dytë, kryeministri i vendit i drejtohet deputetes së LDK-së, Hykmete Bajramit e cila tha se në një vend ku Qeveria e kapë drejtësinë, aty merr fund demokracia.

I pari i Qeverisë u shpreh në Facebook se deputetja Bajrami “tha që po të dëshironte Blerim Isufaj të bëhej Kryeprokuror me çdo kusht kishte ardhur me dosjen e Nagip Krasniqit tek unë si Kryeministër që të bëjmë pazar”.

Por, sipas Kurtit pazaret prokurori Blerim Isufaj i bënte me ta si parti, pasi siç tha ai tek ai vetë nuk mund t’i shkonte.

(Kosova Sot Online)