A u largua Jabllanoviq nga gara për të parin e Leposaviqit?

  • A.P /
  • 20 April 2023 - 17:55
A u largua Jabllanoviq nga gara për të parin e Leposaviqit?

Sa i përket tërheqjes së Aleksandar Jabllanoviqit nga gara për të parin e Leposaviqit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ende asgjë zyrtare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kështu tha  zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai tha se është përmbyllur procesi i certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatët pëe zgjedhjet e 23 prillit, derisa shton se më 27 mars ka përfunduar afati pëe tërheqjen e subjekteve politike nga gara zgjedhore.

Elezi njofton se procesi i shtypjes së fletëvotimeve ka përfunduar sot.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e së dieles, më 23 prill. Po ashtu, më 27 mars 2023 ka përfunduar edhe afati për tërheqjen e subjekteve politike nga gara zgjedhore. Pasi janë përmbyllur të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në zgjedhje, KQZ-ja ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve. Së fundmi, procesi i shtypjes së tyre ka përfunduar gjatë ditës së sotme, e enjte”, ka thënë Elezi për Express.

Kosovapress, duke u thirrur në burimet e saj, sot ka raportuar se Jabllanoviq ka hequr dorë nga gara për kryetar të Leposaviqit. Sipas këtij mediumi, tërheqja e PKS-së nga gara zgjedhore vjen si pasojë e presionit të madh që po u bëhet serbëve të Kosovës nga Beogradi Zyrtar.

Të dielën do të mbahen zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

(Kosova Sot Online)