Kurti: 37 hoxhallarë i kemi dëshmorë të kombit sot

  • A.P /
  • 21 April 2023 - 15:23
Kurti: 37 hoxhallarë i kemi dëshmorë të kombit sot

Të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, i ka uruar kryeministri Albin Kurti nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kurti tha se, muaji i shenjtë i Ramazanit, që paraprin festës së Bajramit të Madh, ka shtuar solidaritetin në popull, por uroi që kjo të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë të vitit.

“Ne urojmë që përkushtimi për anën shpirtërore të njeriut gjatë jetës dhe solidariteti shoqëror e farefisnor të mos jetë i kufizuar vetëm në këtë muaj por të jetë në secilin muaj të gjithë vitit. U dëshiroj festë të gëzuar, u dëshiroj çaste të lumtura në sofrat e tyre të gjithë besimtarëve, Zoti ua bëftë kabull të gjithë agjëruesve”, deklaroi Kurti.

Kurti u kujdes që, siç tha ai, të kujtojë, kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në luftën e fundit çlirimtare.

Kryeministri shtoi se BIK, pjesëtarët e të cilës u përballën me kritika për përdhosje të flamurit kombëtar pas paraqitjeve në rrjete sociale, ka lëshuar hapësirat e saj për të strehuar veprimtarë politikë.

Ai tha se në Medresenë Alaudin janë mbajtur tubime e diskutime e për rrjedhojë janë marrë vendime të rëndësishme në vitet ’90-ta. Gjithashtu, ai përmendi edhe hoxhallarët që kanë rënë dëshmorë në luftën e fundit.

“E dimë se nga lufta e fundit çlirimtare 37 hoxhallarë, imamë, i kemi dëshmorë të kombit sot dhe në këtë stinën e pranverës ku për çdo ditë kujtojmë masakra dhe beteja na duhet të ecim midis varreve ku ka emra të martirëve e dëshmorëve në mesin e të cilëve aq shumë janë edhe imamë e aq shumë janë edhe besimtarë. Kjo tregon për rolin e madh që ka pasur Bashkësia Islame për çështjen tonë kombëtare dhe ne jemi përherë falënderues e mirënjohës”, tha Kurti.

Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësja e tij, Emilia Rexhepi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku si dhe këshilltarë të tjerë.

(Kosova Sot Online)