Vuçiq: Në zgjedhjet e 23 prillit nuk do të marrin pjesë më shumë se '100 serbë'

  • A.P /
  • 21 April 2023 - 19:15
Vuçiq: Në zgjedhjet e 23 prillit nuk do të marrin pjesë më shumë se '100 serbë'

Në zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”, ka theksuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai tha se “njerëzit nga Perëndimi” po bëjnë “cirk”, sepse mendojnë se mund t’i bëjnë me forcë serbët që ta duan Kosovën e pavarur, duke i detyruar ata të marrin pjesë në zgjedhje.

Sipas tij, askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.

Ai tha se “serbët do të mbijetojnë në Kosovë” dhe se “do të vazhdojnë ta duan të vetmin shtet që kanë, e që është Serbia”.

Të dielën e 23 prillit, zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të gjitha të banuara me shumicë serbe.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka refuzuar të marrë pjesë në to dhe u ka bërë thirrje qytetarëve në veri që ta bojkotojnë procesin.

Lista Serbe ka thënë se ka marrë vendimin, pasi Kosova nuk i ka plotësuar dy kushtet e saj: formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit.

Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që të votojnë.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

Reklama

Në garë për kryetarë të komunave në veri janë 10 kandidatë – prej tyre vetëm një e komunitetit serb. Alleksandar Jabllonoviq, nga Partia e Serbëve të Kosovës, është tërhequr nga gara vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve, edhe pse kandidatura e tij është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komunat në veri janë pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur zyrtarët serbë të kësaj zone kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe.

Shumica e 19 qendrave të votimit që do të hapen në veri, do të jenë të vendosura në kontejnerë, pasi struktura të mbështetura nga Beogradi nuk kanë lejuar hapjen e shkollave.

(Kosova Sot Online)