
Sveçla: Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën

Për ta përcjellur nga afër situatën e sigurisë në veri, kur po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Lepozaviq e Zubin Potok, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se është në Mitrovicë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sveçla tha në një lidhje direkte për televizionin publik se nuk ka incidente dhe se presin që dita të përfundojë e qetë
“Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën sa i takon çështjeve të sigurisë. Situata është stabile, e qetë. Nuk kemi incidente dhe presim që dita të përfundojë e qetë”, tha Sveçla.
Ministri tha se “këto zgjedhje janë më ndryshe për shumë arsye”, edhe sa i takon aspektit të sigurisë.
“Për dallim prej më herët, nuk ka incidente”, tha ai.
Sveçla tha se ditët e fundit qytetarëve serbë u është bërë “presion i hatashëm që të mos dalin në zgjedhje”.
“Por përndryshe sot nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës”, tha Sveçla.
Ai tha se presin që të rritet numri i qytetarëve që do ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.
Lidhur me lokacionet e reja të votimeve, Sveçla tha se bashkë me KQZ-në është vlerësuar “se zgjidhja më e mirë është të gjejmë hapësira alternative”.
“Kjo nuk do të thotë pamundësim të pjesëmarrjes në votime”, tha ai.
“Edhe kushtet e punës janë mëse komode. Edhe për votuesit vendvotimet janë të identifikuara dhe nuk shoh ndonjë problem të veçantë”, shtoi Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme tha se “Policia e Kosovës kurrë s’ka qenë më e përgatitur” për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët.
(Kosova Sot Online)