Berisha: Më 14 maj votojmë për të vendosur përsëri sistemin demokratik

  • A.P /
  • 25 April 2023 - 13:54
Berisha: Më 14 maj votojmë për të vendosur përsëri sistemin demokratik

Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi këtë pasdite turin elektoral në Kamëz, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Berisha kërkoi votën e qytetarëve për kandidatin e koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë", Arjan Hoxha. 

Vota e 14 majit, tha Berisha, është votë për të shpërbërë pushtetin monist dhe për të rivendosur sistemin demokratik. 

"Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Kamzës, Bathores, përshëndetjet më të zjarrta, falënderimet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, ju dhe të gjithë banorëve të Kamzës dhe Bathores, të gjithë të afërmeve tuaj, kudo që janë sot në Shqipëri.

Është nder i veçantë të ju falenderoj dhe të jem sot këtu për të paraqitur para jush, Arjan Hoxhën, kandidatin tonë për kryetar bashkie me 14 maj me votën tuaj. Ju garantoj se Arjan Hoxha, kandidati i vullnetit dhe votës tuaj, kandidati i dinjitetit tuaj, do të shkrijë të gjithë energjitë e tij, të gjithë mendjen me përkushtimin më të madh, do të bëjë gjithçka që së bashku me ju ta ndryshojë me shpejtësi gjendjen në bashkinë e Kamzës. Do të bëjë  gjithçka që taksat tuaja ti shndërrojë në shërbime për ju të merituara. Arjani do të jetë një shërbëtor i përulur i qytetarëve të Kamzës. Një administrator i aftë, i zoti, dhe i ndershëm, do të jetë një drejtues vizionar për transformimin e Kamzës. 

Me 14 maj, Kamza ndahet dhe Shqipëria, nga sistemi më i keq që ka njohur njeriu dhe njerëzimi, nga sistemi i të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, në duart e një individi. Çdo analizë që mund ti bëjmë historisë dhe të shkuarës do të gjejmë se regjimet më të këqija, më ç’njerëzore, më jo popullore, kanë qenë regjimet në të cilat një njeri i ka kontrolluar të gjitha pushtetet. Dhe ky është rasti i Shqipërisë sot. Edi Rama i kontrollon sot të gjitha pushtetet e këtij vendi dhe e vërteta është se kontrollon të gjithë ekonominë, financat, gjykata, polici, SHISH, presidencë dhe çdo institucion tjetër.

Në këto kushte me 14 maj, ne votojmë jo vetëm për të vendosur Arjan Hoxhën qytetar të parë në Bashkinë e Kamzës, por votojmë për të shpërbërë pushtetin monist të Edi Ramës, votojmë për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri. Votojmë për të vendosur përsëri sistemin demokratik", u shpreh Berisha. 

(Kosova Sot Online)