Vuçiq: I jemi mirënjohës Hungarisë pasi kanë dëshmuar se janë miqtë e Serbisë

  • A.P /
  • 25 April 2023 - 15:50
Vuçiq: I jemi mirënjohës Hungarisë pasi kanë dëshmuar se janë miqtë e Serbisë

“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, ai tha se Serbia është mirënjohëse ndaj vendeve që kanë votuar të hënën kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne i jemi mirënjohës sidomos Hungarisë. Ata [hungarezët] kanë dëshmuar se janë miqtë më të mëdhenj të Serbisë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se Beogradi e ka ditur që Kosova e ka shumicën e mbështetjes në Këshillin e Evropës.

“Faleminderit Spanjës, Qipros, Rumanisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, që kanë votuar për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq, duke iu referuar vendeve që kanë votuar kundër vendimit për ta dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës tek Asambleja e tij Parlamentare.


(Kosova Sot Online)