Policia serbe rrah disa të mitur

  • A.P /
  • 25 April 2023 - 20:25
Policia serbe rrah disa të mitur

Shoqata MVI (Medical Volunteers International Serbia) ka postuar në Instagram një video nga qendra e pritjes në Sombor të Serbisë.

“Një qendër zyrtare tranzite e financuar nga qeveria supozohet të jetë një vend i sigurt për njerëzit në lëvizje. Kjo video tregon të kundërtën. Kjo është dëshmi e qartë se policia serbe po rrah ilegalisht individë. Djali në këtë video është i mitur”, thuhet përbri videos.

“Njerëzit raportuan se ata të kapur nga policia u dërguan në jug në Preshevë. Fatkeqësisht, kjo po bëhet sistematike. Qeveria e Serbisë jo vetëm që i injoron emigrantët, por shkel plotësisht të drejtat e tyre”, kanë shkruar ata në Instagram.

Siç mësoi televizioni N1, videoja është regjistruar dje në orët e para të mëngjesit, gjatë aksionit të rregullt policor për zhvendosjen e refugjatëve nga qendrat e pritjes në veri drejt qendrave në jug të vendit.

Është bërë e ditur se në rrjetet sociale po përhapen edhe video të policisë që rrahin emigrantët në pikën kufitare Mali Zvornik nga Serbia në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Nga Ministria e Brendshme e Serbisë kanë bërë të ditur se po hetojnë rastin. Ndërsa në video shihen emigrantët, kryesisht të mitur duke u rrahur në mënyrën më brutale të mundshme.

Ata vazhdimisht goditeshin me shkopinj në kokë dhe pjesë tjera të trupit dhe tërhiqeshin zvarrë sikur të ishin kafshë. 


(Kosova Sot Online)