Prokuroria nis hetimet për drejtuesin e lartë të policisë

  • A.P /
  • 27 April 2023 - 22:48
Prokuroria nis hetimet për drejtuesin e lartë të policisë

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për Erion Ismailin, i cili mban aktualisht pozicionin si shef sektori të krimit ekonomik në Policinë e Tiranës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas një denoncimi të bërë për zyrtarin e lartë të policisë thuhet se ai ka marrë rryshfet 10 mijë euro çdo muaj për të lejuar një call-center të kryente lirisht veprimtarinë mashtruese me bursat ndaj qytetarëve europianë.

Dyshohet se shefi i krimit ekonomik Erion Ismaili merrte këtë shumë çdo muaj nga subjekti që ndodhej në rrugën e Kosovarëve në Tiranë.

Policia ka ushtruar kontrolle në këtë call center ku sekuestroi disa kompjutera dhe pajisje të tjera. Gjatë këtij operacioni që u zhvillua me datën 15 Prill, u arrestuan Eduart Spasari, Fatmir Qershori dhe Mariglen Karaj. Ky i fundit është zyrtar i lartë në UKT.

Në momentin që policia i ka shkuar subjektit për kontroll, ata kanë kontaktuar me Karajn. Ky i fundit me mesazhe dërguar administratorëve të call centerit është shprehur se i ka dhënë 10 mijë euroshin Erion Ismailit me qëllim që ky biznes të mos prekej.

(Kosova Sot Online)