‘Po na kërkohet etikë nga njeriu me më pak etikë’

  • E.K /
  • 28 April 2023 - 15:51
‘Po na kërkohet etikë nga njeriu me më pak etikë’

Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Lirisë, u shpreh se zhurma që është krijuar nga posterat e kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Belind Këlliçi, i bën përshtypje për faktin se, sipas saj, po kërkohet etikë nga njeriu me më pak etikë.

“Është mesazh shumë i qartë për korrupsionin e Erion Veliajt. Ajo që më bën më shumë përshtypje është se neve na kërkohet etikë nga njeriu me më pak etikë. Edi Rama është njeriu më pa etikë jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe në jetën sociale. Këta që bërtasin për etikën, nuk thanë një fjalë kur një ish-ambasador i nxori gishtin grave që kërkonin lirimin e fëmijëve të tyre që po i prishnin shtëpitë në Unazë të Re. E quajtën modernizëm atëherë. Kur e nxjerr Belo gishtin për korrupsionin, qenka mungesë etike. Këto janë ca “bullshit”, janë ca neveri që të bëjnë të ndjesh mëshirë për këto lloj njerëzish”, tha Kryemadhi.

Sipas saj, “njerëzit janë të pakënaqur dhe detyra jonë është që këtë pakënaqësi të madhe ta përkthejmë në votë. Mendoj që edhe këto dy javë që kanë ngelur, beteja është sensibilizimi i atyre që nuk votojnë dhe zonës gri”.

“Kjo nuk është beteja e Berishës dhe Metës, kjo është e Belind Këlliçit, Igli Carës apo Luciano Boçit… Rama po e shikon që pëlqyeshmëria e tij është duke rënë dhe mbështetja ndaj kandidatëve të tij është e dobët. Prandaj, ai po del vetë si kryeministër nëpër media”, tha Kryemadhi.

Në lidhje me batutat e kryeministrit nëpër mitingje, deputetja tha: “Nuk ka çfarë i thotë tjetër njerëzve, t’i thotë që i ka rritur rrogat? Që ka ulur taksat? Që ka 24 orë ujë? Sot, qytetarët e Tiranës paguajnë 3 herë më shumë taksa sesa paguanin para se të vinte Erion Veliaj”./A2cnn/

(Kosova Sot Online)