Less: S’ka marrëveshje meqenëse Serbia nuk ka nënshkruar asgjë

  • A.P /
  • 28 April 2023 - 16:40
Less: S’ka marrëveshje meqenëse Serbia nuk ka nënshkruar asgjë

Serbia të hënën votoi kundër pranimit të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe në Prishtinë e denoncuan këtë veprim si shkelje të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të arritur në shkurt dhe mars në Bruksel dhe Ohër, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ish-diplomatin britanik, Timothy Less nuk e ka befasuar kjo. Ai i tha se s’ka marrëveshje, meqenëse Serbia nuk ka nënshkruar asgjë. Less thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në dy takimet e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti thjesht “ka bashkëpunuar sipërfaqësisht” për të përfituar nga ky proces krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Është e vërtetë se qëndrimi i Serbisë në Këshillin e Europës shkel kërkesën që ajo ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Serbia e ka shkelur marrëveshjen, sepse nuk ekziston asnjë marrëveshje për t’u shkelur. Presidenti Vuçiq dhe të tjerët në Beograd kanë thënë vazhdimisht se nuk i pranojnë elementet kyçe të planit të BE-së, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe ai qartazi nuk ka nënshkruar asgjë”, tha Less.

“Gjithçka që mund të themi është se Vuçiq ka bashkëpunuar sipërfaqësisht me procesin e negociatave, me sa duket për t’i shmangur kostot e paraqitjes jobashkëpunuese dhe me shpresën se BE-ja dhe SHBA-ja do t’i bëjnë presion Kosovës për ta krijuar një Bashkësi të Komunave Serbe”, theksoi Less. Por kjo sipas tij “nuk do të thotë se Serbia e ka pranuar planin dhe sugjerimet për të kundërtën janë kryesisht të spikatura nga BE-ja, e cila dëshiron ta përfundojë dramën e Kosovës dhe ta neutralizojë ndikimin rus në Ballkan”.

Parashikimi i Less: Çështja e Kosovës do të zgjidhet nga fuqitë e mëdha gjeopolitike

Studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it thotë se “plani i BE-së ka gjasa të dështojë, si dhe përpjekjet e mëparshme për ta zgjidhur çështjen e Kosovës me negociata”.

“…Dhe ngjarjet në Këshillin e Europës duket se vetëm e konfirmojnë këtë”, tha Less.

Nga këndvështrimi i Kosovës, Less thotë se “Serbia ka vepruar me keqbesim duke refuzuar ta respektojë të drejtën e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe do ta shtrojë pyetjen se pse Kosova duhet t’ia bëjë një lëshim Serbisë për çështjen e autonomisë së serbëve”

Nga këndvështrimi i Serbisë, ai thotë se “vendimi është një akt i keqbesimit nga europianët, të cilët kanë dështuar ta respektojnë qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe në vend të kësaj e kanë çuar atë një hap më afër pavarësisë së plotë, pavarësisht refuzimit të Prishtinës për ta respektuar detyrimin e saj për ta krijuar Bashkësinë e Komunave Serbe”. Në këtë aspekt, Less thotë se “ngjarjet në Këshillin e Europës i kanë armiqësuar të dyja palët dhe kanë penguar çdo perspektivë për një rezultat të negociuar”.

“Rrjedhimisht, prognoza ime është se nuk do të ketë një rezultat të negociuar për çështjen e statusit të Kosovës, të paktën jo në termat e ngushtë që i koncepton BE-ja. Në vend të kësaj, unë mendoj se çështja e Kosovës do të zgjidhet nga fuqitë shumë më të mëdha gjeopolitike, të cilat janë në fokus dhe që e favorizojnë gjerësisht Serbinë – një arsye tjetër që ajo të mos e pranojë marrëveshjen aktuale të BE-së”, tha Less.

Këtu, ish diplomati thotë se përfshihen edhe një varg zhvillimesh në politikën globale.

“Këtu përfshihet edhe zhvendosja e pushtetit drejt Kinës, ambasadori i së cilës në Francë së fundmi e bëri të qartë se ajo nuk e pranon rendin politik të përcaktuar nga Amerika në Europë; dobësia e BE-së, premtimi i së cilës për anëtarësim për Ballkanin Perëndimor është gjithnjë e më i zbrazët; dhe kthimi i republikanëve në Shtëpinë e Bardhë dhe, bashkë me të, një politikë e jashtme më realiste e bazuar në maturi dhe interesin kombëtar në vend që ta mbrojë punën e administratave të mëparshme të demokratëve”, tha ai. “Serbia i di të gjitha këto dhe tashmë po përshtatet me këtë realitet të ndryshueshëm, së fundmi duke rënë dakord për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën”.

Në fund të gjithë kësaj, Less beson se “Kosova do të jetë e pavarur nga Serbia ose e bashkuar me Shqipërinë”.

“…Por më duket gjithnjë e më e mundshme që kjo të jetë pjesë e një grupi më të gjerë ndryshimesh territoriale që përfshijnë veriun e Kosovës, Luginën e Preshevës dhe Republika Srpskan, ku serbët po i përgjigjen në mënyrë të ngjashme ndryshimit të gjeopolitikës duke përsëritur kërkesën e tyre për pavarësi nga Bosnja”, tha ish-diplomati.

(Kosova Sot Online)