KQZ ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore

  • A.P /
  • 28 April 2023 - 16:51
KQZ ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore

Rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore, i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por nuk është certifikuar edhe rezultati i kandidatëve për asamble në Leposaviq.

Anëtarët nga PDK dhe LDK kanë kundërshtuar votimin e tre kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë zero vota.

Ndërsa, nga anëtarët e LVV-së në KQZ u tha se mandatet fitohen sipas koeficientit që e fitojnë partitë.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se ne Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP) nuk është bërë asnjë ankesë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne kemi kërkuar nga PZAP nëse ka pasur ndonjë ankesë brenda 24 orëve të shpalljes së rezultatit. Nga PZAP, dje na kanë njoftuar se brenda afatit të përcaktuar ligjor, nuk ka parashtruar askush ankesë. Andaj janë plotësuar kushtet për certifikimin e rezultateve“, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e 23 prillit, në veri të Mitrovicës dhe Leposaviqit ka dalë fituese Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në Zveçan e Zubin Potok, Partia Demokratike e Kosovës.

Radoniqi ka thënë se në zgjedhjet për kuvendet komunale, në Komunën e Leposaviqit, 15 ulëse i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, dy ulëse i ka marrë Partia Demokratike e Kosovës.

Anëtari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti, ka kërkuar një interpretim në lidhje me kandidatët për asamble që kanë zero vota. Interpretim ka kërkuar edhe anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, i cili ka bërë të ditur se nuk do të votojë certifikimin e kandidatëve që kanë zero vota.

Ndërsa, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka theksuar se shpërndarja e vendeve në Kuvendin Komunal bëhet sipas koeficientit që e fitojnë partitë.

Në këtë mbledhje, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nuk mund të bëjnë certifikimin e tri mandatave, për shkak të paqartësive që kanë.

Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës janë mbajtur më 23 prill.

(Kosova Sot Online)