Berisha: Rama nuk pranon të ballafaqohet para qytetarëve. Del burri dy metra nga sheshi, në shesh me zorrë në gojë

  • E.K /
  • 29 April 2023 - 09:22
Berisha: Rama nuk pranon të ballafaqohet para qytetarëve. Del burri dy metra nga sheshi, në shesh me zorrë në gojë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar takim e radhës elektoral në Lushnje krah kandidatit të opozitës, Eduart Sharka.

Berisha është shprehur se një biznesmen i ndershëm që ka djersitur që nga vitet 1990 e deri më sot, me djersën e tij, gjen papritmas një fqinj, i cili nuk ka djersitur asnjë ditë. Ose ka transportuar një thes me drogë, ose ka marrë pa konkurrencë një tender, shumë milionë euro.

Pastaj nga Shqipëria, para nesh, para syve tanë, u zhduk më shumë se një gjeneratë, 1 milionë shqiptarë. Prej tyre 800 mijë të rinj. Nuk ka më dramatike. Me dhjetëra mijëra  biznese falimentuan. Falimentuan nga dyfishimi i taksave, falimentuan para së gjithash nga konkurrenca e pandershme.

Një biznesmen i ndershëm që ka djersitur që nga vitet 1990 e deri më sot, me djersën e tij, gjen papritmas një fqinj, i cili nuk ka djersitur asnjë ditë. Ose ka transportuar një thes me drogë, ose ka marrë pa konkurrencë një tender, shumë milionë euro dhe mbin brenda natës biznesmen dhe e falimenton atë që ka djersitur gjithë jetën.

Vërshim me ‘Ballkanin e Hapur’ të prodhimeve të Shumadisë në Shqipëri, asnjë mbrojtje për fermerët e Myzeqesë. Subvencionet 5 herë më të ulëta se në Kosovë, 7-8 herë më të ulëta se mesatarja e rajonit. Të gjitha këto ua thërrmojnë ëndërrat, i detyrojnë të shkatërrojnë fermat, të therin lopët, të prishin serat, të largohen, të largohen ku të munden.

Kjo po ndodh dhe megjithatë, ky zotëri ka zgjedhur një mënyrë për fushatë. Asnjë ballafaqim kandidatët e tyre, me kandidatët rivalë, asnjë ballafaqim. Ai vetë nuk pranon të ballafaqohet para qytetarëve, por çdo politikan ka detyrim absolut të dalë para qytetarëve, të ballafaqohet me rivalin, por edhe qytetarët të marrin pjesë në atë ballafaqim dhe ti bëjnë çdo pyetje, ti paraqesin çdo dokument, ti bëjnë radiografinë dhe pastaj të kërkojnë votën.

Kurse ky, mashtrimin, mashtrimin dhe vetëm mashtrimin. Del burri dy metra nga një shesh, në një shesh tjetër me zorrë në gojë, nuk ka më turp. Dhe e bën këtë me qëllimin djallëzor, që njerëzit të mos merren me vjedhjet e tij, të mos merren me faktin se ai udhëton me avion me dhomë gjumi, shpenzon 22 mln euro vetëm udhëtime me avion taksi.

(Kosova Sot Online)