Berisha: Kandidatët tanë të dalë nga primaret, përballë kanë kandidatët e Edi Ramës duarziut!

  • E.K /
  • 29 April 2023 - 13:01
Berisha: Kandidatët tanë të dalë nga primaret, përballë kanë kandidatët e Edi Ramës duarziut!

Kryetari i PD, Sali Berisha vijoi në Lushnje turin elektoral për zgjedhjet e 14 majit. 

Në fjalën e tij para qytetarëve, Berisha kërkoi votën për kandidatin e koalicionit "Bashkë Fitojmë", Eduart Sharka. 

Berisha tha se kandidatët e opozitës kanë dalë nga primaret, ndërsa përballë kanë ata të Edi Ramës, të cilin e akuzoi se ka shtënë në duart e tij të zeza të gjitha pushtetet. 

"Së pari, mirënjohje dhe nderimin tim më të madh, të gjithë atyre që kanë organizuar këtë takim të mrekullueshëm të brezave, të demokratëve të Lushnjes, si një akt mirënjohje të pakufishme, por edhe një thirrje të fuqishme të kësaj kohe, për kontributin e përbashkët të të gjithë brezave, me 14 maj, mbasi kjo ditë është dita në të cilën çdo shqiptar pret që ne të rivendosim pluralizmin politik në Shqipëri. Të rikthejmë në Shqipëri, idealin e kongresit të Lushnjes, idealin e kësaj shtëpie që qëndron krahas shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit dhe asaj të Shpalljes së Pavarësisë së Shqiprisë, shtëpia e tretë më e rëndësishme e kombit shqiptar.

Ne mblidhemi në këtë oborr ku në 21 Janar të vitit 1920, në fakt burrat e kombit vendosën pavarësinë e Shqipërisë, e cila pas shpalljes në Vlorë, ju mor përsëri shqiptarëve. Pra këtu pas vitesh pushtimi nga vitet 1912-1920, vendosën atdhetarët, patriotët, shtetarët e këtij vendi, vendosën Shqipërinë e pavarur, vendosën Shqipërinë pluraliste demokratike. 

Pra kjo ndërtesë, ky vend, është në fakt dhe djepi i pluralizmit politik të Shqipërisë. Ne me 14 maj, paraqitemi në votime për kandidatët tanë për kryetarë bashkie dhe paraqitemi krenarë sepse këta kandidatë kanë dalë për herë të parë, mbi një garë pluraliste brenda partisë. Pra kanë dalë me konkurrencën e ndershme brenda partisë, kanë dalë me votën e lirë, me besimin tuaj. Përballen me përfaqësuesit e monizmit, që mbulon vendin, për të cilët nuk ka votuar asnjë qytetar shqiptar, asnjë socialist shqiptar.

Të cilët janë emëruar mbi kritere mafioze, nga Edi Rama, njeriu që në dy mandate, ja doli të përqendrojë në duart e tij të zeza, të gjitha pushtet. Sot çdo pushtet është në duart e një njeriu dhe ky njeri përdor pushtetin sipas interesave të tij personale, dhe interesave antiqytetare dhe antishqiptare", u shpreh Berisha.

(Kosova Sot Online)